Kryeministri Edi Rama reagoi në një intervistë për Financial Times lidhur me protestat e vazhdueshme në Tiranë, të njohura si “Revolucioni Flamingo”, të shkaktuara sipas mediave nga zemërimi publik ndaj një projekti turistik luksoz rreth 4 miliardë dollarë, të lidhur me investime të Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump. Rama mohoi kategorikisht akuzat dhe etiketimet si “Kumbari”, duke thënë: “Populli thotë se unë jam drejtuesi i gjithë kësaj. Unë u them: ‘f**k you’. Kaq e thjeshtë. Nuk është detyra ime të provoj se nuk jam Kumbari, është detyra e tyre të provojnë se jam.”
Ai theksoi se investimet janë të ligjshme dhe mohoi çdo lidhje me hetimet ndaj pronave të mëparshme në zonë, duke deklaruar gjithashtu: “Të thuash se ekonomia shqiptare bazohet në pastrim parash është e tmerrshme.” Rama pranoi që pastrimet e parave ekzistojnë, por i minimizoi si problem krahasuar me vende të tjera: “Pastrimet e parave janë pjesë e ekonomisë sonë, por nuk janë një problem kaq i madh. Mendoni se në Londër nuk ka pastrim parash? Ka. Por a mund të thuhet se ekonomia britanike bazohet në pastrim parash? Jo.”
Financial Times vë në dukje se prokurorët shqiptarë kanë lëshuar urdhër-arreste për më shumë se 20 biznesmenë të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash, ndërsa miliarda euro dyshohet se janë investuar në projekte ndërtimi përgjatë bregdetit dhe në Tiranë. Mes të përmendurve është biznesmeni Artur Shehu, i cili ka shitur tokë pranë zonës ku planifikohet projekti; hetimet kanë çuar në ngrirjen e rreth 128 milionë euro pagesa.
Rama argumentoi se rritja e hetimeve tregon se institucionet po funksionojnë më mirë dhe se Shqipëria është sot më pak e korruptuar se më parë, pavarësisht perceptimit publik. Ai gjithashtu deklaroi se ka interesa që synojnë të dëmtojnë projektin për shkak të lidhjes me Trump, duke thënë: “Ka shumë interes për ta vrarë këtë projekt… për shkak të Trump. Nëse nuk do të ishte Jared Kushner… askujt nuk do t’i interesonte as flamingot, as Shqipëria.” Në përfundim, Rama u shpreh i bindur se projekti do të ecë përpara: “Investitorët nuk janë kriminelë dhe nuk janë të përfshirë në pastrim parash. Ata janë investitorë të mëdhenj. Kjo është një mundësi historike për Shqipërinë.”

