Giovanni Malagò u zgjodh president i FIGC me 68.58% të votave, duke nisur një epokë të re për futbollin italian. Në fjalën e tij të parë në Asamble, Malagò tha se ndjen përgjegjësi të thellë dhe se nuk mund të bëjë asgjë i vetëm, por se së bashku mund të arrijnë shumë. Ish numri 1 i CONI merr përsipër detyrën për të zgjidhur problemet e kombëtares italiane pas dështimit për t’u kualifikuar në Botëror për të tretin herë radhazi, një humbje që solli dorëheqjen e paraardhësit Gabriele Gravina.
Një nga prioritetet është emërimi i Drejtorit Teknik, rol i konsideruar thelbësor dhe i munguar për kombëtaren. Malagò e sheh këtë funksion si një pikë lidhëse midis presidentit dhe trajnerit, me përgjegjësi për koordinimin dhe përzgjedhjen e stafit përfaqësues, përfshirë gjetjen e trajnerëve të ekipeve kombëtare. Për këtë arsye, ai kërkon një ish-futbollist me eksperiencë drejtimi.
Në krye të listës për Drejtor Teknik është Paolo Maldini, i cili mbajti të njëjtin rol te Milani gjatë periudhës 2019–2023. Midis kandidatëve të tjerë përmendet edhe Frederic Massara, i cili në maj mbylli kontratën me Romën pas përplasjeve me Gian Piero Gasperinin. Vendimi për Drejtorin Teknik do të shërbejë si hap i parë konkret; vetëm pas tij Malagò do të bëjë të ditur emrin e trajnerit të ri të kombëtares A.
Kandidati kryesor për stolin e trajnerit është Roberto Mancini, i gatshëm të rikthehet te Të Kaltrit tre vjet pas largimit të tij mes polemikash, ku një ndër arsyet e diskutueshme ishte edhe dështimi për t’u kualifikuar në Botërorin 2022. Megjithatë, për të konfirmuar rikthimin e Mancinit mbeten disa detaje për t’u zgjidhur. Presidenti i ri i FIGC nuk po nxiton; ai synon të diskutojë me bashkëpunëtorët e tij dhe të vlerësojë me kujdes çdo aspekt para se të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e ekipit kombëtar.

