Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, në cilësinë e Zv.Presidentit të UEFA-s mori pjesë në Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhore të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), ku Giovanni Malagò u zgjodh President i ri. Gjatë asamblesë Duka mbajti një fjalë përshëndetëse në emër të UEFA-s, duke përcjellë përshëndetjet e Presidentit të UEFA-s, Aleksander Čeferin, dhe duke konfirmuar mbështetjen e plotë të institucionit për FIGC-në dhe futbollin italian. Ai vlerësoi FIGC-në si një nga federatat më të rëndësishme dhe me ndikim në futbollin evropian.
Duka shprehu mirënjohje për ish-presidentin Gabriele Gravina për punën, përkushtimin dhe përgjegjshmërinë në drejtimin e futbollit italian gjatë viteve të fundit, duke theksuar se dorëheqja e tij tregon përkushtim dhe guxim. Ai e përshkroi Gravinën si mik dhe bashkëpunëtor me të cilin ka ndarë vite të rëndësishme në futbollin evropian dhe falënderoi për pasionin, ekspertizën dhe ndjenjën e përgjegjësisë me të cilën e udhëhoqi FIGC-në.
Duka theksoi se futbolli italian ka ndërtuar themele të forta për të ardhmen përmes investimeve në zhvillimin e talenteve dhe sektorin e të rinjve, dhe përmendi sukseset e fundit si fitimin e Kampionatit Evropian në 2021, gjysmëfinalen historike të ekipit kombëtar të vajzave në 2025 dhe arritjet e ekipeve kombëtare të të rinjve në kompeticione ndërkombëtare. Ai vuri në dukje zhgënjimin që shkaktoi dështimi për t’u kualifikuar për Kupën e Botës, duke theksuar se një episod i vetëm, si humbja e një ndeshjeje, një karton i kuq apo një penallti e humbur, mund të errësojë vite pune, por kërkoi që të shihet përtej atij rezultati.
Në fund të fjalës Duka uroi dy kandidatët për gatishmërinë e tyre për të marrë përgjegjësinë e drejtimit të futbollit italian dhe siguroi vazhdimin e mbështetjes së UEFA-s ndaj FIGC-së. Ai gjithashtu foli për rëndësinë e organizimit të Kampionatit Europian 2032, duke bërë thirrje për investime në stadiume dhe infrastrukturë për të lënë një trashëgimi të qëndrueshme. Pas përfundimit të procesit zgjedhor, Duka u takua me Presidentin e ri Giovanni Malagò dhe i uroi sukses në detyrë.

