Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës po lë pasoja të rënda në disa vende, ndërsa autoritetet vazhdojnë të lëshojnë paralajmërime për rrezik të lartë ndaj shëndetit. Në Paris, temperaturat e larta kanë ndryshuar pamjen e përditshme: brigjet e Kanalit Saint-Martin në Senë u mbushën me qindra qytetarë që kërkonin t’u freskoheshin, duke u futur në ujë ose duke mbajtur këmbët në të, ndërsa zona i ngjante më shumë një plazhi veror sesa një peizazhi urban. Autoritetet franceze konfirmuan tre viktima si pasojë e problemeve shëndetësore të lidhura me temperaturat ekstreme dhe qeveria mbylli ose ndryshoi oraret e funksionimit për rreth 2,700 shkolla në të gjithë vendin.
Në qytetin e Bordeaux-së parashikohet të kalohen 42 gradë Celsius, ndërsa shërbimi meteorologjik francez shpalli alarm të kuq për 49 rajone administrative. Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stephanie Rist, paralajmëroi se vendi do të përballet edhe për disa ditë me temperatura tepër të larta: “Po shkojmë drejt të paktën disa ditëve me mot shumë, shumë të nxehtë. Nuk e dimë ende se kur temperaturat do të fillojnë të bien”.
Situata alarmante paraqitet edhe në Spanjë: agjencia meteorologjike Aemet shpalli alarm të kuq për rajonin e Vendit Bask, ndërsa në San Sebastian temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, pothuajse dyfishin e mesatares sezonale. Meteorologët raportojnë se në shumë zona të Spanjës temperaturat janë 5 deri në 10 gradë më të larta se normalja, ndërsa në disa rajone veriore diferenca tejkalon 10 gradë. Edhe gjatë natës termometri në disa zona nuk zbret nën 25–30 gradë Celsius, duke vështirësuar kushtet e jetesës.
Sipas Reuters Climate Monitor, Evropa po përjeton devijimin më të madh të temperaturave nga mesatarja historike; temperatura mesatare maksimale në kontinent është rreth 24 gradë Celsius, ose 4.1 gradë mbi mesataren e periudhës 1961–1990. Pasojat prekin edhe kafshët: rezervatet në Evropën Veriore raportojnë rritje të numrit të kafshëve që vuajnë nga nxehtësia. Në Belgjikë, biologu Romain de Jaeger i rezervatit CREAVES tha se shumë zogj po braktisin foletë, pasi temperaturat nën çatitë e ndërtesave mund të arrijnë 50 apo 60 gradë Celsius. Vetëm gjatë tre ditëve të fundit strehimi për kafshët e egra në Belgjikë ka pranuar rreth 150 kafshë të prekura. Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat ekstreme pritet të vijojnë, duke mbajtur në alarm autoritetet dhe shërbimet emergjente në gjithë Evropën.

