Në aeroportin e Vlorës u regjistruan sërish tensione dhe përplasje mes punonjësve të kompanisë së Behgjet Pacollit dhe ekipit të sigurisë së “2A Group” të Valon Ademit. Konflikti u shoqërua me ndërhyrje të menjëhershme të strukturave të policisë, që normalizuan situatën përkohësisht, përpara se punonjësit e Mabco të hynin në kantier pas vendimit të Gjykatës së Lartë që iu riktheu kompanisë së Pacollit të drejtën e administrimit të aeroportit.
Hyrja e punonjësve të Mabco dhe e nënkontraktorëve të saj në kantier pritet të çojë në përfundimin e bllokimit të punimeve në aeroport. Sipas administratorit të Mabco, Selim Paçolli, punimet për terminalin pritet të përfundojnë brenda një muaji. Përplasjet mes palëve kishin shkaktuar ndërprerje të punimeve në zonë për rreth 10 ditë gjatë muajit maj, deri te vendimi i Gjykatës së Lartë.
Një ditë më parë Behgjet Pacolli deklaroi se MABCO zotëron 98% të kuotave të kapitalit të VIA-s dhe se përfaqëson subjektin kryesor përgjegjës për detyrimet, obligimet dhe ekspozimet që lidhen me koncesionin në aspektin profesional, teknik, referencial dhe financiar. Kjo deklaratë u bë në kontekstin e mosmarrëveshjeve ndërmjet kompanive që administronin punimet dhe shërbimet në aeroport.
Më 26 maj, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga kompanitë “Vlora International Airport” dhe “2A Group”, të lidhura me biznesmenin Valon Ademi, duke i dhënë të drejtë sipërmarrësit kosovar Behgjet Pacolli dhe duke lejuar kthimin e tij në menaxhimin e aeroportit. Ky vendim shënoi fundin e bllokimit të përkohshëm të punimeve dhe hapi rrugën për rifillimin e punimeve në kantier nga Mabco dhe bashkëpunëtorët e saj.

