Komuniteti Hebraik Shqiptar reagoi pas përdhosjes së flamurit të Izraelit pranë Ambasadës së Izraelit në Tiranë gjatë protestës mbrëmë, duke e cilësuar ngjarjen si “sinjal alarmi” dhe një akt që tejkalon kufijtë e protestës, përbën gjuhë urrejtjeje dhe antisemitizëm. Në deklaratën zyrtare, komuniteti thekson se përdhosja e simbolit shtetëror dhe thirrjet kundër Izraelit cenojnë kulturën e tolerancës dhe historinë e Shqipërisë, që sipas tij ka traditë mbrojtjeje të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Deklarata përmend edhe thirrjet nga foltorja e protestës ku, siç thuhet, persona shpallën publikisht se “Izraeli është armiku ynë.” Komuniteti e konsideron këtë gjuhë si të rrezikshme, përçarëse dhe nxitëse të urrejtjes, që synon të importojë konflikte dhe narrativa ekstremiste në Shqipëri. Ai paralajmëron se antisemitizmi shpërthen fillimisht përmes fjalës, propagandës dhe demonizimit, prandaj çdo akt i tillë duhet dënuar menjëherë dhe pa relativizim.
Komuniteti kërkon hetim të menjëhershëm nga institucionet për të identifikuar autorët dhe organizatorët e incidentit dhe i bën thirrje politikës, medias, shoqërisë civile, komuniteteve fetare dhe çdo qytetari të refuzojnë çdo formë të gjuhës së urrejtjes kundër hebrenjve apo Shtetit të Izraelit. Ai përshëndet reagimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila sipas deklaratës dënoi aktin, dhe kërkon që të garantohet se Shqipëria nuk do të bëhet terren për propagandën e urrejtjes, antisemitizmin apo ekstremizmin.
Në deklaratë theksohet se e drejta për të protestuar është themelore, por përfundon kur shndërrohet në nxitje të urrejtjes, përdhosje të simboleve shtetërore dhe sulme ndaj përfaqësive diplomatike. Komuniteti mbetet i vendosur të mbrojë vlerat e marrëdhënies historike mes popullit shqiptar dhe atij hebre, si respekt, dinjitet, solidaritet dhe mbrojtje të jetës njerëzore, dhe nënvizon se Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë vend i antisemitizmit.

