Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënoi ashpër heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë, që ndodhi gjatë protestës mbrëmjen e së shtunës nga protestues të maskuar. Në reagimin zyrtar, Ministria vlerëson se veprime të tilla nuk kanë lidhje me lirinë e shprehjes apo me të drejtën legjitime për protestë paqësore, por janë shfaqje të urrejtjes dhe intolerancës, të papajtueshme me vlerat demokratike dhe standardet evropiane që Shqipëria promovon.
Reagimi nënvizon se incidenti bie ndesh me traditën shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit për tjetrin, dhe thekson se akte të tilla nuk përfaqësojnë Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë. Ministria shprehet se ato përfaqësojnë vetëm ata që duan të provokojnë, përçajnë dhe përhapin urrejtje, duke shpërdoruar dhe keqpërdorur në mënyrë të qëllimshme të drejtën dhe liritë.
Në deklaratë Ministaria riafirmon angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Ajo shpreh solidaritetin me Ambasadën e Shtetit të Izraelit dhe thekson se dhuna, intimidimi dhe gjuha e urrejtjes nuk mund dhe nuk do të kenë vend në një shoqëri demokratike.
Reagimi i Ministrisë përsërit se veprime të tilla janë krejtësisht të papajtueshme me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që Shqipëria ka në themel, duke u shprehur kundër çdo nisme që synon të prishë harmoninë e shoqërisë. Ministria thekson vlerat e ndërtuara dhe forcuara çdo ditë në kuadër të standardeve evropiane, si dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së sigurisë dhe respektit për simbolet diplomatike si pjesë e përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare.

