Shqipëria po konsumon më shumë shërbime sesa prodhon mallra, sipas të dhënave të INSTAT për tremujorin e parë të vitit dhe me kontributin e sezonit turistik. Ekonomia vendase mbështetet në rritje tek turizmi, ndërtimi, tregtia dhe pasuritë e paluajtshme, ndërsa sektorët prodhues po dobësohen.
Industria, e cila pritej të shtonte prodhim dhe eksporte, ka pësuar tkurrje: prodhimi industrial u ul me gati 5%, shitjet ranë me mbi 3% dhe numri i të punësuarve regjistroi rënie. Edhe industria nxjerrëse, që për vite ka qenë burim i rëndësishëm të ardhurash, shënoi një rënie të fortë.
Në kontrast, sektorët e shërbimeve vijojnë zgjerimin dhe mbajnë zhvillimin ekonomik. Hotelet, restorantet dhe aktivitetet turistike po rriten nga viti në vit. Tregu i pasurive të paluajtshme dominoi rritjen, me aktivitet që u shtua mbi 30%, një tregues se ekonomia po orientohet drejt pronës dhe ndërtimit. Bashkë me këtë, edhe punësimi është drejtuar më shumë në këto sektorë. Sipas INSTAT, pasuritë e paluajtshme udhëheqin rritjen me 22.5%, hotelet shënuan rritje 9.4%, agjencitë e udhëtimit 3.7% dhe transporti 3.3%.
Me zgjerimin e këtyre aktiviteteve përcillen edhe rritje të pagave në varësi të sektorëve. Në pamje të parë, treguesit duket se tregojnë më shumë aktivitet, paga më të larta dhe lëvizje ekonomike. Megjithatë, pas shifrave duket se Shqipëria po shton eksportin dhe shitjen e shërbimeve ndërsa prodhon më pak mallra.
Zhvillimi i sektorëve prodhues, si industria dhe bujqësia, është përfshirë në fokusin e institucioneve, të cilat udhëzojnë edhe sektorin bankar që të jetë më mbështetës ndaj zhvillimit të aktivitetit të këtyre sektorëve.

