Ndalimi i lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë që transportojnë mallra industriale në rrugët kombëtare gjatë fundjavave të sezonit veror ka shkaktuar radhë të gjata në Pikën Kufitare Morinë–Vërmicë. Dhjetëra kamionë janë detyruar të qëndrojnë në pritje për të kaluar kufirin, ndërsa autokolona e mjeteve shtrihet në disa kilometra.
Drejtuesit e mjeteve thonë se përveç kufizimit të qarkullimit, situata rëndohet edhe nga procedurat e ngadalta në anën kosovare të kufirit. Sipas tyre, përpunimi i kamionëve kryhet vetëm në një sportel, duke shtuar kohën e pritjes dhe trafikun në pikën kufitare.
Sipas vendimit në fuqi, qarkullimi i mjeteve të transportit të mallrave ndalohet nga ora 15:00 deri në 24:00 të ditës së premte dhe nga ora 07:00 deri në 24:00 gjatë së shtunës dhe të dielës. Kjo masë ka bërë që qindra mjete të tonazhit të rëndë të grumbullohen pranë kufirit në pritje të rifillimit të lëvizjes.
Shoferët shprehin se vonesat po u sjellin jo vetëm humbje kohe, por edhe kosto shtesë financiare. Ata thonë se pritjet e gjata ndikojnë në transportin e mallrave dhe në të ardhurat e tyre, ndërsa disa prej tyre pohojnë se po mendojnë të heqin dorë nga ky profesion për shkak të vështirësive.
Me shtimin e fluksit në akset rrugore dhe pikat kufitare për shkak të sezonit veror, drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë kërkojnë rishikim të kufizimeve dhe përshpejtim të procedurave doganore. Qëllimi i kërkesave është të shmangen radhët dhe pritjet e gjata në kufirin Morinë–Vërmicë dhe të përmirësohet efikasiteti i kalimit të kamionëve.

