Dokumenti që portali Timoni.al publikon në mënyrë ekskluzive rrëzon publikisht deklaratat e ish-gjyqtarit Alaudin Malaj, i cili më herët ka pretenduar se nuk ka dhënë asnjë vendim në favor të Artur Shehut. Vendimi i Gjykatës së Apelit i vitit 2013, i siguruar nga redaksia, tregon qartë se Malaj ka qenë pjesë e trupit gjykues që ka vendosur në favor të trashëgimtarëve të familjes Shehu në çështjen e pronave të Zvërnecit.

Në këtë proces, familja Shehu është përfaqësuar edhe nga Pëllumb Petritajt, avokat i arrestuar më pas në kuadër të hetimeve për falsifikime të lidhura me këtë çështje pronësie.
Banorët e zonës pretendojnë se vendimi i dhënë nga Alaudin Malaj ka qenë pjesë e një skeme që ka favorizuar përfitimin e sipërfaqeve të mëdha të tokës në Zvërnec. Sipas tyre, në këmbim të këtij vendimi janë dhënë përfitime 300 mijë euro dhe 25 hektar tokë, pretendime që mbeten objekt verifikimi nga organet ligjzbatuese.

Megjithatë, një fakt mbetet i pakundërshtueshëm: dokumenti gjyqësor provon se Alaudin Malaj ka dhënë vendim në favor të familjes së Artur Shehu, trafikant ndërkombëtar droge, duke rrëzuar deklaratat e tij publike se nuk ka pasur asnjë rol në këto procese gjyqësore.
Tashmë pyetja që kërkon përgjigje është nëse organet e drejtësisë do të hetojnë rrethanat e plota të kësaj çështjeje dhe përfitimet që dyshohet se kanë ardhur si pasojë e këtyre vendimeve.


