Pas më shumë se dy javësh proteste jopartiake para Kryeministrisë, një grup figurash publike — aktivistë, gazetarë, doktorë dhe artistë — debatonte nëse duhet krijuar një parti e re që të përfaqësojë protestuesit ose të vazhdohet me deklarata mbështetëse. Kastriot Çipi shkruan në Facebook se në një takim kohëve të fundit të një grupi intelektualësh, ku ishin edhe Fatos Lubonja dhe aktivisti Petrit Levendi, “regjisori” kishte thënë se vendit i duhet një parti e re. Këtë idenë e kundërshtoi analisti Fatos Lubonja, i cili propozoi hartimin e një deklarate mbështetëse — propozim që u pranua në fund.
Çipi thekson se që nga viti 2018 ka shprehur publikisht bindjen se Shqipëria ka nevojë për një parti të re, të bazuar në demokracinë direkte sipas modelit zviceran, që refuzon ndarjen klishe “e majtë – e djathtë”. Ai thotë se mban këtë bindje edhe sot dhe nuk ndjehet i prekur nga akuza për protagonizëm. Ndërkohë, Fatos Lubonja ka përsëritur qëndrimin e tij për të mos u angazhuar personalisht në asnjë grupim apo parti me logo, duke mbështetur nismën e deklaratës si formë angazhimi.
Një grup intelektualësh dhe figurash publike — mes tyre Fatos Lubonja, Arben Malaj, Dashamir Shehi, Myslym Murrizi dhe Kastriot Çipi — firmosën një deklaratë ku kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë dhe miratimin e një qeverie teknike. Në deklaratë bëhet thirrje që populli shqiptar të bëhet pjesë e një revolucioni paqësor dhe të mbështesë kërkesat e protestuesve, si dhe u bëhet apel deputetëve të Kuvendit të ndahen nga udhëheqësit e tyre dhe të dëgjojnë zërin e qytetarëve.
Deklarata kërkon rrëzimin e Qeverisë aktuale dhe miratimin e një qeverie tranzitore me përfaqësues nga shoqëria civile, e cila të organizojë zgjedhjet e parakohshme. Po ashtu u drejtohet Prokurorëve të SPAK-ut që të hetrojnë me përparësi dhe pa vonesë aktet korruptive të qeverisë.

