Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq 16 persona, kryesisht të akuzuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh” sipas nenit 283 të Kodit Penal. Sipas organit të akuzës, procedimi penal nr. 647 u zhvillua gjatë një hetimi njëvjeçar me metoda proaktive, vëzhgime dhe përgjime, duke dokumentuar aktivitetin e një grupi që shpërndante lëndë narkotike në qytetet e Sarandës dhe Delvinës, kryesisht te të rinjtë.
Hetimin e ka drejtuar prokurorja Esmeranda Basho, nën drejtimin e së cilës është ndërtuar dosja hetimore që çoi në identifikimin dhe marrjen si të pandehur të 16 personave. Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se hetimi u mbështet në prova të siguruara përmes teknikave speciale të hetimit, duke evidentuar raste të përsëritura të shitjes së lëndëve narkotike.
Nga hetimet rezultoi gjithashtu se tre prej të pandehurve akuzohen edhe për “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi janë konstatuar nën efektin e lëndëve narkotike gjatë ndalimit nga policia. Mes personave të dërguar në gjyq përmenden J.I., M.H., P.B., E.H., M.D., O.A., F.A., Xh.M., S.M., D.Q., E.T., A.C., E.D., V.K., E.A. dhe A.Ç., të akuzuar për vepra që lidhen me narkotikët, armëmbajtjen pa leje dhe drejtimin e automjeteve nën efektin e lëndëve narkotike.
Prokuroria e Sarandës e konsideron këtë procedim një nga hetimet më të gjera kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonën jugore të vendit, me fokus të veçantë mbrojtjen e të rinjve nga fenomeni i përdorimit dhe shitjes së drogës. Në përfundim, Prokuroria thekson se mbetet e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht të gjithë personat e përfshirë në veprimtari të kundërligjshme që lidhen me prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

