Dosja e klanit që u zbuluar pas takimeve në ishullin e Arubas përqendrohet te Alfredo Hamza dhe Luçiano Koçeku, drejtues të dy grupeve që veprojnë si një organizatë e vetme. Hetimet tregojnë se ata kanë ngritur një mekanizëm që mbulon gjithë ciklin e kokainës, nga prodhimi në Amerikën Latine deri te shpërndarja në Europë. Trafikimi realizohet përmes kompanive tregtare të frutave, mishit, qymyrit dhe sojës, ndërsa përpunimi dhe ekstraktimi kimik kryhet në magazina apo ambiente të marra me qira kryesisht në Holandë dhe Belgjikë. Sipas hetuesve, disa nga këto kompani janë krijuar dhe menaxhuar nga vetë anëtarët e rrjetit si mbulesë për futjen e sasive të mëdha në territorin europian.
Transporti i drogës bëhet përmes porteve të mëdha si Antverp dhe Roterdam, duke përdorur mallra që kalojnë rregullisht dhe metoda transporti detar e ajror, përfshirë kontejnerë dhe mjete me ndarje të fshehta për të shmangur kontrollet doganore. Rrjeti ka aleanca dhe marrëveshje bashkëpunimi me grupe kriminale nga Holanda, Belgjika, Turqia, Izraeli, Italia, Polonia, Brazili, Britania, si dhe me kartela nga Kolumbia, Paraguaji dhe Ekuadori. Grupet kriminale shqiptare bashkëpunojnë mes tyre ose ndihmojnë njëra-tjetrën bazuar në lidhjet dhe njohjet në vendet ku transportohet droga.
Lënda narkotike sigurohet kryesisht nga furnizues në Kolumbi dhe Ekuador, ku funksionojnë edhe laboratorë për përpunimin. Anëtarët e rrjetit dërgojnë persona si garantë dhe furnizojnë forcë pune për laboratorët në Ekuador; udhëtimet organizohen përmes blerjes së biletave nga Orgest Birçaj përmes shoqërisë Top Seven sh.p.k. Avokati Dritan Jahja vuri në dukje se përkufizimi i një organizate kriminale kërkon organizim hierarkik dhe ndarje rolesh mes anëtarëve.
Pjesë e grupit rezulton të jetë edhe Orest Sota, i përfshirë në trafikun drejt Italisë dhe Anglisë, që shërben si lidhje midis botës së biznesit dhe rrjetit dhe ofron informacione dhe treg për shitje masive. Transporti drejt tregjeve europiane kryhet përmes personave të tjerë të përmendur si Orgest Birçaj, Elton Memeti dhe Adrian Rama.
Autoritetet europiane dhe SPAK i atribuojnë rrjetit rreth 6.7 ton kokainë të sekuestruar në operacione ndërkombëtare, përfshirë 441 kg në Barcelonë, 1.435 kg në Roterdam dhe 162 kg në Britaninë e Madhe, si dhe ngarkesa të mëdha të kapura gjatë vitit 2020. SPAK dyshon se sasitë e trafikuara me sukses janë shumë herë më të mëdha se ato të kapura.

