Emri i Artur Shehut lidhet për herë të parë me një ngjarje të rëndë në Vlorë në fund të viteve ’90, një përplasje me armë me Myrteza Çaushin në lokalin e tij që la tre të vdekur, përfshirë Luan Bedinin, dajën e Shehut, dhe dy të plagosur. Pas atyre zhvillimeve, Shehu u largua në Shtetet e Bashkuara, ku mori statusin e azilantit, dhe ndërtoi portofol pronash dhe investimesh në zonën e Vlorës dhe bregdetit rreth tij. Këto pasuri, përfshirë toka në Zvërnec, qindra hektarë në Karaburun dhe zona të tjera, kanë qenë subjekt procesesh gjyqësore dhe aktualisht janë nën hetim nga SPAK.
Dosja hetimore përmend takime ndërkombëtare që, sipas provave të paraqitura, lidhen me projekte pasurish të paluajtshme në Shqipëri, potencialisht të financuara me fonde të paligjshme dhe me mbështetje nga autoritete politike. Artur Shehu shfaqet në kontakte të drejtpërdrejta me Alfredo Hamzain dhe në takime të përbashkëta me Arben Ismailajn, Adrian Ramën dhe Elton Memetin, përfshirë një takim në Antverp më 12 shkurt 2019. Hetuesit vlerësojnë se emrat përsëriten në vende të ndryshme të Europës, dhe ky aktivitet paraqitet si pjesë e një zinxhiri lëvizjesh të koordinuara që, sipas dosjes, lidhen edhe me organizimin e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.
Dosja e paraqet Shehun si figurë drejtuesi brenda organizatës, që udhëton për takime organizative dhe që është i lidhur me trafikimin e kokainës, megjithëse emri i tij ende nuk lidhet formalish me akuzën e trafikut të kokainës. Në Vlorë ai ishte njihej si zotërues i një anijeje private me të cilën përflitej për transportin e ngarkesave të dyshimta. Qysh nga largimi në 1999 ai është përpjekur të qëndrojë larg vëmendjes; komunikimet e dekriptuara dhe verifikimet tregojnë se shmangte diskutimet sensitive në telefon.
Në një bisedë më 7 korrik 2020 rezulton që Shehu kërkonte të mos diskutohej në telefon për para, shtëpi, toka apo “Bunen” dhe planifikonte takim në Stamboll pas 15 korrikut; TIMS tregon udhëtime të Adrian Ramës drejt Stambollit gjatë verës 2020 për t’u takuar me Shehun. Hetimet nxjerrin dyshime të arsyeshme se disa prona me numra kadastralë të caktuar janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme përmes falsifikimeve dhe dokumentesh të pabazuara, siç mbështeten nga vendime civile e penale të mëparshme. Avokatët shpjegojnë se falsifikimet mund të verifikohen objektivisht përmes ekspertimeve grafike dhe verifikimeve të regjistrave, ndërsa sfidë për organet hetimore mbetet zhvillimi i pronës me dokumente të falsifikuara.

