Vrasësi serial nga Long Island në New York, Rex Heuermann, është dënuar me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht, pasi pranoi vrasjen e tetë grave gjatë një periudhe 17-vjeçare. Krimet për të cilat u dënua datojnë nga viti 1993 deri në vitin 2010. Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe publike, pasi lidhet me hetimet për zhdukjen dhe vrasjen e punonjëseve të seksit në zonë.
Dënimi erdhi dy muaj pas deklarimit të tij të fajësisë për shtatë vrasje, ndërsa më vonë pranoi përgjegjësinë edhe për vrasjen e tetë. Pas shpalljes së vendimit, gjykatësi urdhëroi largimin e të dënuarit nga salla; Heuermann u prangos dhe u shoqërua nga autoritetet. Rasti konsiderohet një nga më të rëndët në historinë kriminale të Long Island-it dhe i ka dhënë fund një hetimi shumëvjeçar që tronditi opinionin publik në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë seancës, gjyqtari Timothy Mazzei i drejtoi Heuermann-it pyetjen në lidhje me keqardhjen për viktimat, duke cituar deklaratat e familjarëve mbi pasojat e krimeve: “A ju vjen sadopak keq për atë që u bëtë këtyre grave të pafajshme?” Heuermann u përgjigj duke pohuar me kokë dhe tha: “Unë jam përgjegjës për gjithçka që është thënë në këtë sallë gjyqi”. Para shpalljes së dënimit përfundimtar, gjyqtari i drejtoi fjalë ashpra të akuzuarit: “Je një njeri i neveritshëm dhe i vogël, nëse mund të quhesh burrë. Je një frikacak”.
Vendimi i gjykatës mbyll hetimin e gjatë që ka pasur ndikim të gjerë në komunitet dhe ka tërhequr vëmendje të madhe mediatike për shkak të natyrës së krimeve dhe identitetit të viktimave. Përfundimi i procesit pason pranimin e përgjegjësisë nga i akuzuari dhe konfirmon dënimin maksimal për veprat penale që i atribuohen gjatë periudhës së përmendur. Top Channel.

