Kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, është parë i përlotur pas shënimit të golit të tij të parë në Kupën e Botës 2026, një reagim emocional që ka tërhequr vëmendjen e tifozëve. Sipas mediave ndërkombëtare, emocionet lidhen me shqetësimet për gjendjen shëndetësore të babait të tij, Jorge Messi, i cili raportohet se nuk është në gjendje të mirë.
Ngjarja ndodhi pas ndeshjes së Argjentinës ndaj Algjerisë në “Arrowhead Stadium” në Kansas City, ku Argentina fitoi 3–0 dhe Messi realizoi një paraqitje të shkëlqyer, duke shënuar një gol. Pas ndeshjes, vetë Messi tha se emocionet e tij nuk kishin lidhje me sportin, por me një situatë personale të vështirë që po kalon familja e tij: “Është diçka krejtësisht jashtë sportit. Kanë qenë disa ditë të vështira dhe të komplikuara,” u shpreh ai.
Raportohet se 68-vjeçari Jorge Messi, i cili përveç rolit familjar ka shërbyer edhe si menaxher i karrierës së sulmuesit argjentinas, ka pasur probleme shëndetësore që janë përkeqësuar kohët e fundit. Gazetari Eduardo Feinmann, në Radio Mitre, tha se gjendja e babait të Messit ka qenë e rënduar prej disa muajsh dhe së fundmi është përkeqësuar më tej, duke ndikuar emocionalisht te ylli i futbollit.
Mediat theksojnë edhe një episod të mëparshëm shëndetësor të Jorge Messit që kërkoi trajtim spitalor, por familja ka zgjedhur të ruajë privatësinë në lidhje me detajet e diagnozës. Raportimet e ndryshme ndërkombëtare kanë përsëritur se familja preferon të mos ndajë informacione të plota për gjendjen e tij.
Lajmi mbi reagimin emocional të Messit dhe arsyet e tij personale është përhapur gjerësisht në median sportive dhe në rrjetet sociale, duke nxitur reagime nga tifozë dhe kolegë. Vetë futbollisti ka lidhur qartazi lotët me situatën familjare dhe jo me performancën në fushë, sipas deklaratës së tij pas ndeshjes. Top Channel.

