I penduari i drejtësisë, Artan Tafani, dëshmoi sërish në gjyqin ndaj Laert Haxhiut, duke treguar detaje rreth planifikimit të vrasjes së Rexhep Ginës. Ai deklaroi se veprimi u ndërmor për “punë hasmërie” dhe për shkak të një konflikti pronash, ndërsa shtoi se porosia kishte lidhje me grupin Aldo Bares.
Sipas dëshmisë, diskutimet për vrasjen nisën në Athinë, Greqi, ku Tafani tha se ishte prezent së bashku me Laert Haxhiun dhe Mario Diamantin. Ai përcaktoi se takimi në Greqi është zhvilluar rreth vitit 2021 dhe se aty u vendos të mblidheshin informacione për Rexhep Ginën përmes një polici grek. Tafani tha se Gina në atë kohë jetonte në Athinë. Ai vetë deklaroi se nuk e njihte personalisht Rexhep Ginën.
Në përgjigje të pyetjeve të avokatit, Tafani tha se në korrik 2022 ai ishte në Astir, në shtëpi me Laertin, dhe se atë kohë “morrën veprimet” për të kryer vrasjen e Rexhep Ginës. Për motivet, dëshmitari përmendi se përveç hasmërisë, kishte edhe një konflikt prona-re në Lushnjë, lidhur me një lokal që mbahej nga Rexhep Gina dhe toka që i përkisnin xhaxhait të Laertit. Ai tha se Laerti i kishte shpjeguar arsyet “pak a shumë”.
Tafani përmendi gjithashtu që Laerti e ruante vazhdimisht Rexhep Ginën dhe se njerëz të Laertit e ndiqnin gjurmët e tij; dy persona i dërgonin video dhe foto Laertit. Ai theksoi se qëndrimi i tij në Greqi zgjati rreth 10 ditë dhe se Laerti kishte ardhur më vonë, në tetor. Përveç kësaj, Tafani përmendi Mario Diamantin si pjesëmarrës të takimit dhe më vonë Tha se ky i fundit është vrarë në Greqi.

