“Nëse të kafshon një nga këta, ta këput gishtin fare,” thotë peshkatari Alexis Charlambakis nga varka e ankoruar në portin e Ierapetrës në Kretë, teksa tregon një peshk balonë të sapokapur. Me dhëmbë shumë të fuqishëm dhe një oreks të pangopur, ky peshk ka shkatërruar rrjetat e tij dhe po dëmton rëndë rezervat e peshkut, ndërsa ngrohja e deteve ka favorizuar përhapjen e tij në Mesdheun Lindor. Charlambakis thotë se peshku “e hëngri peshkun dhe preu litarin”, duke bërë pajisjet e peshkimit të pavlefshme.
Peshku balonë, specie invazive që preferon ujërat e ngrohta, u shfaq për herë të parë në ujërat greke rreth 20 vjet më parë dhe tashmë po godet industrinë e peshkimit, një ndër shtyllat e eksporteve të Greqisë. Në brigjet e Kretës peshkatarët raportojnë pakësim të kapjeve dhe dëme të vazhdueshme ndaj rrjetave; goja e tij në formë sqepi është aq e fortë sa mund të kafshojë dru dhe metal, duke shkatërruar kapjet ditore dhe duke grisur rrjetat. Nga rreth 200 specie të së njëjtës familje që jetojnë në ujërat e ngrohta botërore, tre prej tyre gjenden tashmë në Mesdheun Lindor.
Përveç dëmeve materiale, peshku balonë përmban tetrodotoksinë në organet e tij, një helm jashtëzakonisht i rrezikshëm nëse gëlltitet. “Tetrodotoksina, që gjendet në organet e peshkut balonë, është një helm jashtëzakonisht i rrezikshëm nëse gëlltitet. Ajo shkakton arrest kardiak dhe ndalim të funksionimit të mushkërive,” tha Thekla Anastasiou, biologe detare në Qendrën Helenike për Kërkime Detare.
Sipas specialistëve, dëmet ekonomike arrijnë rreth 8.500 euro në vit për çdo barkë peshkimi. Peshkatarët kërkojnë që shteti t’i subvencionojë për kapjen dhe eliminimin e këtij peshku, një program që tashmë zbatohet në Qipro. “Shteti nuk ka bërë sa duhet për të na ndihmuar të përballemi me këta peshq, por duhet ta bëjë,” thotë peshkatari Kostis Zevelekakis. Kryqi i Kuq grek ka publikuar video për ndihmën e parë në rast të sulmit nga ky peshk, ndërsa shqetësimi për dëmin në peshkim është përcjellë edhe tek organet përkatëse të Bashkimit Europian.

