Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë sot dhe nesër në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, një nga platformat kryesore të dialogut ekonomik dhe politik mes Gjermanisë dhe vendeve të Europës Lindore. Në kuadër të vizitës, ai do të zhvillojë një takim me anëtarët e bordit të Komisionit dhe me drejtues ekzekutivë (CEO) të kompanive më të rëndësishme të Europës Lindore. Takimi synon të nxisë investimet, të përmirësojë klimën e biznesit në Shqipëri dhe të forcojë perspektivat e bashkëpunimit ekonomik rajonal.
Në orën 18:30, Rama do të mbajë fjalimin kryesor në sesionin kryesor të Konferencës Vjetore me temën: “E ardhmja europiane e Shqipërisë, reforma, qëndrueshmëria dhe inovacioni në një peizazh gjeopolitik në ndryshim”. Diskutimi do të moderohet nga Michael Harms, dhe pjesë e prezantimit do të jetë Ministrja e Parë e krijuar me Inteligjencë Artificiale, Diella. Pas prezantimit, sesioni do të vijojë me një segment pyetje-përgjigje me pjesëmarrësit e konferencës.
Gjatë ditës së dytë të vizitës, më 17 qershor, Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim me Ministren Federale të Çështjeve Ekonomike dhe Energjisë të Republikës Federale të Gjermanisë, znj. Katherina Reiche. Ky takim do të përqendrohet në thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, investimet në sektorin e energjisë dhe në progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Aktivitetet e planifikuara gjatë konferencës përfshijnë takime me investitorë dhe drejtues biznesesh, fjalime dhe seanca interaktive që synojnë të promovojnë dialogun ekonomik dhe politik ndërmjet palëve pjesëmarrëse. Vizita e Kryeministrit në Berlin synon të krijojë mundësi konkrete për bashkëpunim dhe investime, si dhe të evidentojë reformat dhe prioritetet e Shqipërisë në fushat e qëndrueshmërisë, inovacionit dhe integrimit europian. Top Channel

