Policia greke sekuestruar mëngjesin e sotëm një ngarkesë të madhe me lëndë narkotike në Igumenicë, pranë kufirit greko‑shqiptar. Sipas raportimit të korrespondentit të Top Channel, kjo është sasia e dytë e kapur në të njëjtën zonë brenda tetë ditëve. Gjatë një operacioni në orët e para të mëngjesit, oficerët e Departamentit të Narkotikëve të Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Igumenicë ndaluan një automjet privat të marrë me qira, në timon të së cilit ndodhej një grua greke, 61 vjeçe, me origjinë nga Moschato e Athinës.
Në kontrollin e automjetit u gjetën dhe sekuestruan 90 pako me gjithsej 96 kilogramë e 74 gramë marijuanë, 5.21 gramë kokainë, një sasi e vogël hashashi të llojit “çokollatë”, 100 euro dhe dy telefona celularë. Autoritetet greke dyshojnë se sasia mund të jetë trafikuar nga zona e Sarandës, duke kaluar përmes fshatrave të Bashkisë Konispol.
Tetë ditë më parë, në Nea Selefkia të Igumenicës, u sekuestruan rreth 110 kilogramë marijuanë që dyshohet se kishin kaluar nga fshati Çiflik i Konispolit; në atë rast policia greke arrestoi një shtetas turk. Për të dyja rastet, policia greke njoftoi homologët shqiptarë, konkretisht Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë. Policia Kufitare e Sarandës ka ngritur grupe kontrolli përgjatë kufirit të gjelbër dhe në zonat detare, me qëllim identifikimin e autorëve të mundshëm të trafikimit.
Autoritetet shprehin dyshime për riaktivizim të linjave të trafikimit të drogës drejt Sarandës, duke vënë në dukje se gjatë 10 muajve të fundit në Igumenicë janë regjistruar disa raste trafiku me rreth 540 kilogramë të sekuestruar. Në një prej rasteve droga u sekuestrua në një skaf që u fundos, ndërsa drejtuesi, një shtetas nga Saranda, u arrestua.
Sipas të dhënave të autoriteteve greke, në rajonet e Janinës, Kosturit dhe Selanikut, së bashku me sasinë e kapur në Igumenicë, gjatë 10 muajve të fundit janë sekuestruar rreth 1.2 ton marijuanë.

