Ish-kryeministri kanadez Justin Trudeau u përball me një valë kritikash në rrjetet sociale pasi zgjodhi të mos ishte i pranishëm në ndeshjen e parë të Kanadasë në Kupën e Botës 2026, duke preferuar të merrte pjesë në ceremoninë hapëse të ndeshjes së Shteteve të Bashkuara, ku performoi partnerja e tij, këngëtarja Katy Perry. Vendimi i tij shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik kanadez dhe e detyroi atë të reagojë publikisht përmes një postimi në platformën X, ku kërkoi falje për mungesën e tij në ndeshjen e kombëtares kanadeze. Në postim Trudeau shkroi: “Ndonjëherë të jesh partner mbështetës të thërret në detyrë”, dhe shtoi se mbështetja e tij për Kanadanë mbetet e pandryshuar. Ai gjithashtu shkroi: “Por ju e dini se për cilin ekip po bëj tifo për të fituar Kupën e Botës”, duke shoqëruar mesazhin me flamurin kanadez.
Kanadaja barazoi 1-1 ndaj Bosnjës në ndeshjen e saj të parë të turneut. Më vonë gjatë mbrëmjes, Shtetet e Bashkuara mposhtën Paraguain 4-1. Para takimit të zhvilluar në Los Anxhelos, Katy Perry interpretoi këngën “Wonder”, pjesë e albumit të saj “143”, të publikuar në vitin 2024.
Gjatë ceremonisë dhe më pas në tribunat e stadiumit, kamerat kapën momente mes Perry dhe Trudeau. Këngëtarja u pa duke përshëndetur ish-kryeministrin me një puthje pas performancës së saj, ndërsa gjatë ndeshjes çifti u shfaq disa herë në ekranet gjigante duke ndjekur sfidën dhe duke shijuar atmosferën sportive. Pamjet dhe postimi i Trudeau provokuan reagime të forta në rrjetet sociale; disa përdorues e akuzuan atë për mungesë patriotizmi dhe e cilësuan “hipokrit” apo “turp për Kanadanë”, ndërsa të tjerë e kritikuan edhe për jetën e tij personale.
Një pjesë e publikut reagoi me humor ose mbështetje, duke thënë se do të vepronin njësoj nëse partnerja e tyre do të performonte në ceremoninë hapëse të Kupës së Botës. Debati riktheu në vëmendje marrëdhënien e Trudeau me Katy Perry-n, e cila prej muajsh është objekt i interesit të mediave dhe publikut ndërkombëtar.

