Interpol Tirana, në bashkëpunim me njësinë kombëtare të të kërkuarve pjesë e National Crime Agency, në harkun kohor të katër javëve kanë identifikuar dhe arrestuar për qëllime ekstradimi në vendin tonë pesë shtetas shqiptarë. Kjo konfirmohet prej dokumenteve të Gjykatës së Ekstradimeve City of Westminster Magistrates’ Court të Londrës, të disponuara nga gazetari i Top Channel Muhamed Veliu.
Renato Hasani, 37 vjeç, ishte fshehur në Angli dhe kërkohet nga drejtësia shqiptare për konspiracion në shitje droge. Gëzim Çela, 37 vjeç, u arrestua pasi drejtësia shqiptare e kërkon për veprën penale të trafikut të 46 kilogram drogë drejt Kosovës, në bashkëpunim me persona të tjerë, më 15 tetor 2015.
Murat Mehmeti, 62 vjeç, u arrestua në zonën Enfield në veri të Londrës. Ai më 27 maj 2014 ishte dënuar për falsifikime me 1 vit e 4 muaj burg, dënim i kthyer në shërbim prove; Mehmeti ka braktisur territorin e Shqipërisë duke mos zbatuar shërbimin e provës, dhe si pasojë gjykata aktivizoi dënimin. Në procesin e ekstradimit ai ndodhet i lirë me kusht pas vendosjes në gjykatë të një garancie monetare prej 15,000 sterlinash.
Andi Hoxha, 23 vjeç, u prangos në Angli si i kërkuar ndërkombëtarisht, pasi më 14 nëntor 2022 në Fushë Krujë shkaktoi vdekjen e Lutfi Malokut, kur e goditi me mjetin tip Mercedes Benz teksa udhëtonte me shpejtësi në aksin rrugor Thumanë–Fushë–Krujë.
Kostandino Tahiri, 30 vjeç, i kërkuar për plagosje me pasoja të rënda, ka pranuar përpara gjykatës të ekstradohet vullnetarisht në Shqipëri.
Nga të dhënat e Gjykatës Supreme të Anglisë rezulton se më 10 qershor 2026 Prokuroria Angleze CPS, që përfaqëson shtetin shqiptar, ka aplikuar për të apeluar vendimin e Gjykatës së Lartë që bllokoi ekstradimin e Edmond Haxhisë dhe katër britanikëve të kërkuar prej prokurorisë së Lezhës, nën dyshimin e përfshirjes në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj tre vite më parë.

