Filantropi bullgar Milen Vrabevski deklaroi nga Korça se nuk do të ndërhyjë në debatin për reformën territoriale në Shqipëri dhe nuk do të ushtrojë ndikim për të ruajtur statusin e Bashkisë së Pustecit. Ai tha se vendimet për ndryshimet administrative i takojnë institucioneve shqiptare dhe duhet të merren sipas interesit të vendit.
Vrabevski theksoi se të drejtat e minoritetit bullgar nuk varen nga kufijtë administrativë, por nga garantimi i standardeve europiane, përfshirë arsim, kulturë dhe integrim të komuniteteve lokale. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse do të bëjë lobim që Pusteci të mbetet bashki e minoritetit bullgar, ai u përgjigj prerë se nuk do të ndërhyjë dhe se lë këtë në dorë të qeverive lokale, sepse është çështje e politikës së brendshme të Shqipërisë. Ai u paraqit si filantrop i pranishëm për të ndihmuar dhe për të kthyer, siç tha, gjestin e vitit 2017 kur u njoh minoriteti bullgar në Shqipëri.
Vrabevski sqaroi se qëllimi i tij është të investojë në integrimin e komunitetit në mënyrë “evropiane”, duke vënë theksin te qasja në kujdesin shëndetësor, kulturë, arsim dhe shkëmbim inovacioni. Ai pohoi se investimet janë për popullsinë vendase pavarësisht origjinës dhe se nuk bëhet dallim për vetëidentifikimin e komuniteteve lokale, sepse integrimi evropian kërkon standarde të larta jete. Sipas tij, hapi tjetër i bashkëpunimit është investimi në arsim e kulturë dhe sigurimi i një qasjeje të duhur të komuniteteve ndaj një administrate lokale të përshtatshme.
Për pyetjen nëse të drejtat e bullgarëve në Pustec do të ruhen nëse bashkia shkrin ose bashkohet me një tjetër, Vrabevski u shpreh se për sa kohë që do të sigurohen standarde të larta jetese dhe Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian, ai nuk sheh problem. Ai përgëzoi vendin për rrugën drejt integrimit evropian dhe tha se është në Shqipëri së bashku me kolegë nga Parlamenti Evropian dhe ai Kombëtar Bullgar për të sqaruar këto çështje, duke shtuar se detyra e tij është të nënshkruajë faturat kur është e nevojshme. (Top Channel)

