Në ditët e nxehta të verës akullorja konsiderohet produkt mjaft i konsumuar, por shumë persona përjetojnë një dhimbje të papritur koke pas konsumimit të akulloreve ose pijëve shumë të ftohta, fenomene e njohur si “mpirja e trurit”. Ky episod, megjithëse zakonisht i padëmshëm dhe kalimtar—zgjat vetëm disa sekonda—sipas studiuesve ofron të dhëna të rëndësishme për shëndetin neurologjik të individit.
Shkaku kryesor i mpirjes së trurit është ftohja shumë e shpejtë e pjesës së qiellzës ose funditt të fytit. Kur këto zona ftohen papritur, enët e gjakut tkurren dhe më pas zgjerohen menjëherë për të rikthyer qarkullimin normal të gjakut. Ky ndryshim i shpejtë në diametrin e enëve të gjakut aktivizon nervin trigeminal, i cili transmeton sinjalet e dhimbjes drejt ballit dhe fytyrës, duke krijuar ndjesinë karakteristike të “ngrirjes së trurit”.
Hulumtimet tregojnë se prirja për të ndjerë këtë dhimbje mund të jetë e trashëguar brenda familjeve. Një lidhje e rëndësishme e identifikuar është ajo mes mpirjes së trurit dhe migrenës: personat që vuajnë nga migrena kanë më shumë gjasa të përjetojnë dhimbje koke si pasojë e konsumimit të akulloreve dhe zakonisht i ndiejnë ato më intensivisht. Arsyeja e këtij bashkëveprimi është se në personat me migrenë nervi trigeminal është më i ndjeshëm ndaj stimulimeve të ndryshme, përfshirë edhe ekspozimin ndaj temperaturave të ulëta.
Për të shmangur ose reduktuar ndjesinë e pakëndshme të mpirjes së trurit, specialistët rekomandojnë që të mos heqet dorë nga konsumimi i akulloreve, por që ato dhe pijet e ftohta të konsumohen më ngadalë. Ky ritëm më i ngadaltë i konsumimit i jep kohë qiellzës që të stabilizojë temperaturën dhe të parandalojë ndryshimet e shpejta të enëve të gjakut që çojnë në aktivizimin e nervit trigeminal.

