Kushtet meteorologjike parashikohen si një ndër faktorët më përcaktues në Botërorin 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Temperaturat e larta, që ndikuan edhe në Botërorin e Klubeve 2025, kanë shtyrë kombëtaret të zbatojnë metoda të veçanta për përgatitje dhe përshtatje me nxehtësinë.
Kombëtarja e Belgjikës ka futur në rutinën e saj pas stërvitjeve dushe të nxehta dhe seanca në sauna, me synimin që lojtarët të përshtaten me kushtet e pritura gjatë turneut. Belgjika do të debutojë më 15 qershor kundër Egjiptit në stadiumin “Lumen Field” të Seattle-it; ndeshja do të luhet në mesditë dhe stadiumi është një nga 11 arenat e hapura të Botërorit, pa çati apo mbulim të lëvizshëm, çka rrit ekspozimin ndaj diellit dhe vapës.
Mesfushori belg Axel Ëitsel theksoi rëndësinë e përshtatjes me kushtet klimatike: “Pa dyshim që vapa ndikon. Disa lojtarë nuk janë mësuar me temperatura të tilla, por po bëjmë gjithçka për t’u përshtatur. Lojtarët bëjnë dushe me ujë të nxehtë dhe shkojnë në sauna”, deklaroi ai. Kjo praktikë përgatitore është pjesë e përpjekjeve të skuadrës për të minimizuar ndikimin e temperaturave gjatë ndeshjeve.
Edhe Norvegjia po merr masat e saj; stafi mjekësor norvegjez monitoron rregullisht nivelin e hidratimit të lojtarëve dhe kryen analiza të shpeshta të urinës për të vlerësuar gjendjen hidrike dhe për të shmangur problemet që mund të shkaktohen nga temperaturat e larta. Norvegjia përmendet si një nga surprizat potenciale të këtij Botërori, dhe menaxhimi i hidratimit është pjesë e qasjes së saj për të përballuar kushtet klimaterike.
Ekspertët vlerësojnë se përshtatja me nxehtësinë dhe menaxhimi i hidratimit do të jenë elementë kyç për suksesin e skuadrave në Botërorin 2026, ku kushtet klimatike mund të ndikojnë po aq sa cilësia në fushën e lojës.

