Autoritetet dhe organizatat mjedisore greke njoftojnë se brenda pak ditësh në Greqinë e veriut janë vrarë tre arinj, ngjarje që i konsiderojnë një goditje të rëndë ndaj faunës së egër të mbrojtur. Rasti më i rëndë ndodhi në rajonin e Follorinës, ku u gjet i plagosur rëndë pranë autostradës Egnatia një ari mashkull rreth 8 vjeç e me peshë 170 kilogram. Ekspertët thonë se kafsha kishte hyrë në një arë misri për ushqim dhe u qëllua me armë zjarri; me plagë në qafë dhe shpinë ariu ngordhi pasi arriti të lëvizte vetëm disa metra.
Pak orë më vonë, në një zonë pyjore të së njëjtës prefekture u gjet e pajetë një arushë dyvjeçare. Dyshimet fillestare tregojnë se ajo mund të ketë ngordhur pas konsumimit të ushqimit të helmuar; përgjigjen përfundimtare do t’i japin analizat toksikologjike. Në zonën Voio të prefekturës Kozani, një ari tjetër i ri, rreth 2.5 vjeç, u gjet i vrarë me tre plumba në kokë. Autoritetet pyjore dhe policia kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve.
Organizatat mjedisore rikujtojnë se ariu i murrmë është specie e mbrojtur në Greqi dhe vrasja e tij përbën vepër penale, duke kërkuar forcimin e kontrolleve kundër gjuetisë së paligjshme dhe përdorimit të helmeve në natyrë. Ekspertët theksojnë gjithashtu se vitet e fundit kafshët e egra, përfshirë arinjtë, ujqërit dhe derrat e egër, po afrohen më shpesh pranë zonave të banuara në kërkim të ushqimit, duke u bërë ndonjëherë rrezik për banorët.
Raste të tilla janë regjistruar në Kostur, Follorinë, Kozan, Grevena dhe pranë Selanikut, ku tufat e derrave të egër janë shfaqur në rrugë dhe zona urbane. Autoritetet dhe organizatat mjedisore lidhin këto shfaqje me ndryshimet në habitatin natyror dhe mungesën e burimeve ushqimore në pyje, dhe kërkojnë zgjidhje përmes programeve qeveritare të përcaktuara nga ekspertët e fushës, ndërsa e quajnë vrasjen e kafshëve si akt barbar dhe vepër penale.

