Bordi i Transparencës, në mbledhjen e datës 13 Qershor 2026, vendosi ndryshime në çmimet e karburanteve: çmimi i naftës u ul me 5 lekë ndërsa ai i benzinës me 1 lek. Vendimi hyn në fuqi sot, data 13, ora 14:00 dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të rishikohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi përcaktoi çmimet maksimale të shitjes: për nënproduktin gazoil, çmimi i shitjes me pakicë të jetë jo më shumë se 183 lekë për litër dhe çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 171 lekë për litër. Për benzinën, çmimi i shitjes me pakicë të jetë jo më shumë se 170 lekë për litër dhe çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 158 lekë për litër.
Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, parashikohet vendosja e pezullimit të aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarohen të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe për ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Sqarim lidhur me Aktin Normativ nr. 1, datë 3.4.2026: nëse çmimi i shitjes me pakicë për gazoil është më i lartë se 220 lekë/litri, apo për benzinën më i lartë se 200 lekë/litri, aplikohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në metodologjinë për llogaritjen e çmimeve tavan, çmimet aktuale janë nën këto kufij, ndaj niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Për gazoilin e përdorur për peshkim, sipas ligjit dhe përjashtimeve të përcaktuara në VKM dhe legjislacionin për taksat kombëtare dhe akcizat, çmimi i shitjes për peshkim rezulton 88 lekë për litër.

