SPAK ka kryer një operacion të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal, të dyshuar për trafik të lëndëve narkotike. Në njoftim bëhet e ditur se paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal dyshohet se janë pastruar nga disa biznesmenë, ndër ta edhe Artur Shehu, i cili zotëron një pjesë të konsiderueshme të tokave në Zvërnec.
Prokuroria e Posaçme ka publikuar detaje nga një letërporosi e autoriteteve spanjolle, ku përmendet emri i Artur Shehut si një nga personat e hetuar për përfshirje të dyshuar në një rrjet ndërkombëtar trafiku kokainë. Dokumenti, sipas prokurorisë, lidh Shehun me një seri veprimesh dhe takimesh që dyshohet se kanë shërbyer për organizimin e blerjes, transportit dhe futjes në treg të sasive të mëdha të kokainës.
Letërporosia përmend se Shehu dyshohet të ketë marrë pjesë në takime të zhvilluara në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës, përfshirë Monakon dhe Arubën. Në këto takime, përcaktohet, janë diskutuar dhe planifikuar operacione lidhur me furnizimin, logjistikën e transportit dhe futjen e drogës në tregun europian.
Hetimet lidhin Shehun me një grup personash të tjerë të dyshuar, të cilët, sipas autoriteteve, kanë zhvilluar takime të shumta në vende të ndryshme gjatë viteve. Fokus i këtyre takimeve, sipas dokumentacionit, ka qenë organizimi i trafikut ndërkombëtar të drogës, përfshirë aspektet e koordinimit dhe planifikimit të operacioneve të mëdha.
SPAK saktëson se të dhënat e përmendura janë pjesë e një procedimi penal në vijim dhe po analizohen në kuadër të hetimeve më të thelluara për aktivitetin e dyshuar kriminal. Nuk jepen detaje shtesë për masa konkrete të marra gjatë operacionit, persona të arrestuar apo akuza formale, përveç së dhënave të nxjerra nga letërporosia spanjolle dhe lidhjeve të dyshuara që ajo përshkruan.

