Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi gatishmërinë për bashkëpunim me partitë e tjera në çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe formimin e institucioneve të reja, por theksoi se bisedimet për konstitutimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë mund të nisin pas përfundimit të numërimit të votave. Ai pohoi se LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit, duhet të jetë “bartëse e themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të” dhe shprehu optimizëm se proceset do të ecin mirë.
Për zgjedhjen e presidentit, Kurti kujtoi se një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese kërkon pjesëmarrjen e 80 deputetëve në votim. Ai tha se LVV-ja është e gatshme për komunikim dhe bashkëpunim, duke vënë në dukje se muaj më parë partia kishte bërë oferta për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës për të gjetur zgjidhje për këtë çështje. Kurti rikujtoi gjithashtu se brenda pranverës Qeveria kishte bërë oferta ndaj opozitës, të cilat sipas tij ishin refuzuar, dhe shpresoi se tani situata do të jetë ndryshe.
Për shkak të moszgjedhjes së presidentit brenda afatit kushtetues u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme. Aktualisht, Albulena Haxhiu nga LVV-ja ushtron detyrën e presidentes pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit në prill. Sipas rezultateve paraprake, LVV-ja mori 42.47% të votave, PDK 21.43%, LDK 16.96%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.51% dhe Lista Serbe 6.76%.
Pas zgjedhjeve, PDK-ja shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në funksionalizimin e institucioneve të reja, por duke kërkuar që kjo të bëhet përmes një marrëveshjeje politike. LDK-ja deklaroi për Radion Evropa e Lirë se çdo vonesë drejt një marrëveshjeje është sinjal i keq dhe theksoi se nisma për bashkëpunim duhet të vijë nga fituesja e zgjedhjeve. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje me LVV-në dhe preferon që Qeveria e re të formohet përmes një koalicioni të partive opozitare.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon të shpallë rezultatet përfundimtare më 26 qershor dhe t’i certifikojë më 6 korrik, por këto afate varen nga ankesat që mund të parashtrohen.

