Botërori amerikan do të jetë edicioni më i ndotur në histori, sipas një studimi të agjencisë së specializuar në teknologjinë klimatike Greenly. Sipas këtij studimi, emetimet e dioksidit të karbonit nga turneu do të arrijnë rreth 7.8 milionë tonë, nivel që rezulton 2.1 herë më i lartë se totali zyrtar i Botërorit të Katar 2022.
Studimi thekson se çështja kryesore nuk është vetëm shumësia e emetimeve, por struktura e tyre. Në edicionin e kaluar, organizimi i turneut në Katar shoqërohej me ndërtim të madh të infrastrukturës; shteti ndërtoi shtatë stadiume nga e para, duke gjeneruar emetime të konsiderueshme të lidhura me ndërtimin dhe infrastrukturën. Në kontrast, në Botërorin amerikan do të përdoren kryesisht stadiume ekzistuese, dhe për pasojë emetimet që lidhen me infrastrukturën përbëjnë vetëm 3% të totalit të parashikuar.
Në anën tjetër, studimi identifikon se spostimet e spektatorëve përbëjnë pjesën dërrmuese të emetimeve, rreth 87% të totalit. Arsyet për këtë përqindje të lartë lidhen me përbërjen gjeografike të audiencës dhe distancat e udhëtimit: Amerika e Veriut pritet të tërheqë tifozë nga e gjithë bota, ndërsa distancat mesatare të udhëtimit për spektatorët janë më të mëdha se ato që u regjistruan në Katar.
Të dhënat e Greenly evidentojnë se ndryshimi në burimet kryesore të emetimeve midis dy edicioneve lidhet më shumë me modelin e infrastrukturës dhe me lëvizjet ndërkombëtare të tifozëve sesa me ndërtimin e stadiumeve të reja në vendin pritës. Sipas studimit, edhe pse përdorimi i stadiumeve ekzistuese redukton peshën e emetimeve të lidhura me ndërtimin, kjo ulje kompensohet nga rritja e emetimeve të shkaktuara nga transporti i spektatorëve mbi distanca më të gjata.
Burimi: Top Channel.

