Bllokimi dhe evakuimi i pjesshëm i Pentagonit u shkaktuan nga një alarm i rremë, thanë për CNN dy burime të njohura me situatën. Më herët gjatë ditës, disa kate dhe korridore brenda ndërtesës u mbyllën, ndërsa zona të tjera u evakuuan për shkak të një incidenti të dyshuar me materiale të rrezikshme, sipas tre burimeve dhe departamentit lokal të zjarrfikësve.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi se sistemet e monitorimit kishin zbuluar një problem me cilësinë e ajrit, që kërkonte marrjen e masave paraprake deri në përcaktimin e natyrës dhe rëndësisë së tij. Departamenti zbatonte protokollet standarde të sigurisë, përfshirë urdhrin për strehim në vend për zonën e prekur, ndërsa ekipet e reagimit ishin në terren dhe gati për të mbështetur personelin e ndërtesës.
Ekipi i reagimit ndaj materialeve të rrezikshme i Agjencisë së Mbrojtjes së Forcave të Pentagonit iu përgjigj incidentit me mbështetjen e Departamentit të Zjarrfikësve të Qarkut Arlington, sipas zëdhënësit të këtij departamenti, kapitenit Jamie Jill. Një postim në rrjetet sociale nga Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Emergjencave Mjekësore (EMS) i Arlingtonit konfirmoi se ekipi i specializuar për materiale të rrezikshme ishte angazhuar në Pentagon për trajtimin e incidentit.
Ekipi i sigurisë së Pentagonit shpërndau një njoftim se ishte identifikuar një problem me cilësinë e ajrit dhe se nevojiteshin testime shtesë, proces që mund të zgjaste nga një deri në dy orë. Njoftimi theksonte se ekipet e reagimit ishin në vend dhe të gatshme për të mbështetur personelin, dhe paralajmëronte se personeli mund të vërejë praninë e ekipeve nga agjenci të ndryshme dhe masat paraprake në oborrin qendror, duke kërkuar që këto aktivitete të mos keqinterpretohen.
Sipas burimeve, katet nga i dyti deri në të pesti në disa korridore u mbyllën përkohësisht. Një burim tha për CNN se efektivët e policisë brenda ndërtesës mbanin maska gazi dhe pajisje të plota mbrojtëse kundër substancave kimike. Më vonë u konfirmua se alarmi ishte i rremë dhe nuk u konstatuan kërcënime reale për sigurinë e personelit apo të ndërtesës.

