Gjatë punimeve të Mbledhjes së 121-të Plenare të Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) në Bruksel, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, ngriti në nivel evropian nevojën për vlerësim objektiv të progresit të vendeve kandidate në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale. Në sesionin me Komisionerin Evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Michael McGrath, Dervishi paraqiti arritjet e Shqipërisë në përputhshmërinë e legjislacionit kombëtar me Acquis të BE-së në këtë fushë.
Komisioneri Dervishi theksoi se Shqipëria ka miratuar një ligj të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, të harmonizuar në tërësi me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) dhe Direktivën 2016/680 për autoritetet e zbatimit të ligjit. Ai vuri në dukje gjithashtu praninë e një autoriteti mbikëqyrës të pavarur në përputhje me standardet evropiane dhe kontributin e Shqipërisë si vëzhgues në punën e EDPB-së që nga viti 2016. Megjithatë, pavarësisht këtij niveli të përafrimit, Shqipëria vazhdon të konsiderohet “vend i tretë” për qëllime të transferimit të të dhënave personale.
Dervishi theksoi nevojën që vlerësimi i progresit të vendeve kandidate të bëhet në mënyrë objektive dhe në përputhje me nivelin e harmonizimit të legjislacionit dhe kapaciteteve institucionale me Acquis, si dhe që ky proces të zhvillohet me ritme më të shpejta. Në përgjigje, Komisioneri Evropian Michael McGrath vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë për përputhshmëri ligjore në fushën e mbrojtjes së të dhënave, duke sqaruar se marrëdhënia e BE-së me Shqipërinë në këtë fushë zhvillohet brenda një procesi më të gjerë anëtarësimi, që përfshin një nivel më të avancuar integrimi sesa një vendim i veçantë për përshtatshmërinë (adequacy). Ai shtoi se transferimet e të dhënave personale mund të realizohen në përputhje me mekanizmat dhe instrumentet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Në mbledhje u diskutuan gjithashtu çështje të tjera, përfshirë anonimizimin e të dhënave, njoftimin e shkeljeve të sigurisë, ndërveprimin ndërmjet GDPR dhe Aktit për Tregjet Digjitale (Digital Markets Act), si dhe sfidat e lidhura me përdorimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja. Pjesëmarrja aktive e Autoritetit Shqiptar në punimet e EDPB-së u paraqit si konfirmim i angazhimit të Shqipërisë për përmbushjen e standardeve të BE-së dhe forcimin e të drejtave themelore të qytetarëve.
Top Channel

