Komentet e presidentit amerikan Donald Trump, i cili deklaroi se “i pëlqen inflacioni”, provokuan reagime të forta ndërsa qytetarët përballen me rritjen më të madhe të çmimeve në tre vjet. Sipas të dhënave të Byrosë Amerikane të Statistikave të Punës, inflacioni u rrit në 4.2% në maj, nga 3.8% në prill. Rritja i atribuohet kryesisht shtrenjtimit të energjisë dhe karburanteve pas përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Trump përsëriti shprehjen se “Shifrat ishin të shkëlqyera. E dini çfarë më pëlqen vërtet? Më pëlqen inflacioni”, deklarim që nxiti kritika dhe shqetësime publike.
Më vonë, ai sqaroi se komentet e tij ishin nxjerrë nga konteksti dhe se kishte dashur të theksonte se inflacioni ishte më i ulët nga sa prisnin ekonomistët, pavarësisht tensioneve në Lindjen e Mesme. Presidenti parashikoi gjithashtu që çmimet e energjisë do të bien ndjeshëm sapo të përfundojë konflikti me Iranin, dhe se ulja e çmimit të naftës do të ndihmojë në frenimin e inflacionit.
Të dhënat tregojnë se faturat e energjisë në SHBA janë rritur me afro 25% krahasuar me një vit më parë, ndërsa çmimi mesatar i benzinës ka arritur në 4.15 dollarë për galon. Ekspertët paralajmërojnë se inflacioni i lartë mund ta vendosë Rezervën Federale përballë presionit për të rritur normat e interesit në muajt e ardhshëm, një lëvizje që do të rrisë kostot e huamarrjes për familjet dhe bizneset.
Deklarata e Trump u kritikua menjëherë nga demokratët; udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, e akuzoi presidentin për mungesë ndjeshmërie ndaj vështirësive ekonomike të amerikanëve. Inflacioni mbetet një nga sfidat kryesore për administratën Trump, dhe çështjet e ekonomisë dhe kostos së jetesës pritet t’i dominojnë debatet gjatë zgjedhjeve të ardhshme të mesmandatit në SHBA. Top Channel.

