Autoriteti i Mbikqyrjes Policore ka nisur një hetim për aksionin nën dyshimet për “Shpërdorim detyre” lidhur me veprimet e kryera në ngjarjen ku humbi jetën efektivi Enea Mekolli. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hitaj, pranoi se nuk kishte dijeni për aksionin, pasi ishte ndërmarrë nga Drejtoria Vendore e Korçës; ai deklaroi se në aksion morën pjesë 40 persona.
Drejtori i Policisë së Korçës, Vilson Bala, u shfaq i tronditur gjatë ceremonisë së varrimit të Mekollit. Përballë Autoritetit të Mbikqyrjes Policore, ai argumentoi se nuk kishte thirrur repartin special RENEA sepse i kërkuari, Violand Braçellari, nuk kishte precedent për vrasje. Bala tha se Braçellari ishte i dënuar më parë për vepra në fushën e narkotikëve dhe jo për vepra kundër personit, por pranoi se kishte dijeni që ai mund të ishte i armatosur dhe se strukturat kishin marrë masat maksimale për realizimin e operacionit. Sipas tij, nuk ka të dhëna që ky person të ketë përdorur armë zjarri ndaj policisë gjatë kontrolleve të mëparshme.
Drejtori Bala pohoi gjithashtu se nuk ekziston një procedurë standarde fikse që normon në mënyrë të prerë rastet kur duhet njoftuar RENEA. Nga analiza e bërë, ai tha se nuk rezulton që rrezikshmëria shoqërore e të kërkuarit të kishte qenë e tillë që të detyronte domosdoshmërisht njoftimin e repartit. Si drejtues police, Bala theksoi karrierën e gjatë dhe përvojën në kapjen e personave në kërkim bashkë me punonjës të strukturave vendore pa ndihmën e RENEA-s.
Prindërit e Violand Braçellarit mbetën në nivel mohues ndaj akuzave ndaj djalit, duke akuzuar shtetin dhe organet e drejtësisë. Ata pretenduan se ai ishte dënuar padrejtësisht, duke thënë se “E dënuan kot, pa prova, nuk kishte prova. U dënua 10 vite për dy gram hashash, nuk është e drejtë.” Sipas prindërve, ndaj djalit është ushtruar presion nga komisariati i Maliqit, që sipas tyre kërkonte para.
(Raportim: Top Channel)

