Rindizet sërish zjarri në venddepozitimin e mbetjeve urbane të qytetit të Vlorës. Rreth orës 20:00 është konstatuar një vatër zjarri në zonën ku janë të depozituara mbetjet urbane të qytetit. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Mbetjet urbane të Vlorës kanë qenë herë pas here burim shqetësimi për shërbimin zjarrfikës, banorët e qytetit dhe turistët. Zjarret në këtë zonë më parë kanë shkaktuar çlirimin e sasive të mëdha të tymit toksik në atmosferë, duke krijuar rrezik për shëndetin publik dhe mjedisin. Edhe pse mbetjet nuk depozitohen më në këtë vend, zona vijon të mbetet problematike dhe e rrezikuar nga zjarret, veçanërisht gjatë periudhave me temperatura të larta, siç ndodhi edhe në rastin e mbrëmshëm.
Forcat zjarrfikëse po përqendrohen në izolimin e vatrave dhe shuarjen e flakëve për të parandaluar përhapjen e zjarrit dhe prodhimin e mëtejshëm të tymit. Situata vazhdon të monitorohet nga autoritetet lokale, ndërsa rreziku i përsëritjes së incidenteve në këtë zonë mbetet për shkak të materialeve të pranishme dhe kushteve klimatike që favorizojnë ndezjen.

