Kupa e Botës është prej gjithmonë skena e thyerjes së rekordeve dhe edicioni i vitit 2026 mund të sjellë kapituj të rinj, me emra si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe Kylian Mbappé që synojnë të shënojnë arritje të reja. Messi, Ronaldo dhe portieri meksikan Guillermo Ochoa kanë hyrë në histori si të vetmit futbollistë që kanë marrë pjesë në gjashtë edicione të Kupës së Botës, një arritje që kërkon më shumë se dy dekada karrierë në nivelet më të larta.
Rekordi i golashënuesit më të mirë në historinë e Botërorëve mbahet nga gjermani Miroslav Klose me 16 gola. Kylian Mbappé është shumë pranë këtij rekordi, me 12 gola të realizuara në vetëm dy edicione, ndërsa Messi ka 13 gola dhe mban akoma shanset për ta barazuar ose tejkaluar këtë numër në turneun e fundit të karrierës së tij. Nga ana tjetër, rekordi i Just Fontaine prej 13 golash në një edicion të vetëm, vendosur në vitin 1958, vazhdon të duket pothuajse i paarritshëm; as Ronaldo në 2002 e as Mbappé në 2022 nuk arritën të shënojnë më shumë se tetë gola në një turne.
Një rekord tjetër i vështirë për t’u thyer është ai i legjendës braziliane Pelé, i vetmi futbollist që ka fituar tri Kupa Bote, në 1958, 1962 dhe 1970. Cristiano Ronaldo kryeson gjithashtu listën e futbollistëve që kanë shënuar në më shumë edicione të Botërorit, me gola në pesë turne të ndryshëm; Messi ndiqet me katër dhe synon ta ngushtojë diferencën në vitin 2026.
Mes rekordeve më të veçanta përmenden pesë golat e Oleg Salenkos në një ndeshje të vetme të Botërorit në 1994, si dhe goli më i shpejtë në histori, i realizuar nga Hakan Şükür pas vetëm 11 sekondash në 2002. Me zgjerimin e Kupës së Botës në 48 skuadra dhe më shumë ndeshje në kalendar, disa rekorde historike mund të vihen në rrezik, ndërsa të tjerë vazhdojnë të duken të paprekshëm edhe pas dekadash.

