Dje në Parlamentin grek u zhvillua një debat i ashpër pasi qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis miratoi një ligj që ashpërson politikën ndaj emigracionit të paligjshëm dhe përshpejton procedurat e kthimit. Ligji parashikon përshpejtimin e procedurave të dëbimit për azilkërkuesit me kërkesa të refuzuara, zgjatjen e periudhës së ndalimit administrativ dhe kufizimin e mundësive për legalizimin e qëndrimit për persona pa dokumente.
Sipas qeverisë, politika e re është pjesë e strategjisë së Bashkimit Evropian për forcimin e sistemit të kthimeve. Athina synon, në bashkëpunim me disa vende anëtare, krijimin e qendrave riatdhesimi jashtë BE-së, ku emigrantët do të transferohen në pritje të kthimit në vendet e origjinës. Ministri i Emigracionit, Thanos Plevris, deklaroi se Greqia po bashkëpunon me Holandën, Danimarkën, Gjermaninë dhe Austrinë për ngritjen e qendrave të përbashkëta të kthimit dhe tranzitit, të cilat synohet të jenë funksionale në vitin 2027. Qeveria ka nisur gjithashtu kontakte me dy vende afrikane për këtë projekt, pa zbuluar emrat e tyre.
Debati u ndez më tej pas ndërhyrjes së ish-ministrit të Emigracionit, Makis Voridhis, të cilin tekstet identifikojnë si autor të pjesës më të madhe të ligjit dhe si figurë të njohur të krahut konservator të partisë Demokracia e Re. Voridhis ngriti pyetjen retorike: “A do ta fundosim barkën apo nuk do ta fundosim?” dhe më pas sqaroi se nuk po propozonte veprime të tillë, por donte të theksonte ekzistencën e një kufiri që shteti duhet ta respektojë duke vepruar brenda kuadrit të ligjit ndërkombëtar. Deklarata e tij shkaktoi reagime të forta nga partitë opozitare.
Analistët vlerësojnë se ashpërsimi i qëndrimit qeverisës lidhet edhe me presionin nga partitë ultra të djathta, të cilat kërkojnë masa më të forta për kontrollin e kufijve dhe emigracionit, ndërsa vendi po përgatitet për zgjedhjet parlamentare. (Top Channel)

