Alben Kola, guidë turistike për vizitorët e huaj që preferojnë Shqipërinë, u bë figura kryesore e një proteste qytetare që hyri në ditën e 11-të, pas një nisjeje që ai thotë se e kishte menduar thjesht si një mbështetje njënatëshe për një mikeshë. Në ballë të tubimit, Kola ka ofruar ndihmën e tij me organizimin, megafonin dhe drejtimin e turmës.
Në një intervistë me Kristi Gongon, ai rrëfen se protestat, që tashmë janë në fund të javës së dytë, ia kanë lënë pa punë. “Unë u bashkova për një natë. Ngela dhe pa punë, i kam lënë edhe turistët rrugëve me një kolegen time që është në Maqedoni sot me një grup amerikan”, thotë Kola, por shton se nuk është i penduar, pasi vepron për atë që e quan “çlirimi i Shqipërisë”. Ai rithekson mesazhin “Shqipëria e para” dhe shprehet se do të ishte i lumtur të jetonte me familjen e tij të lirë, si qytetarët e Evropës Perëndimore.
Kola pranon se rezultatet e protestës nuk do të vijnë menjëherë, por shfaqet i shpresëplotë, duke pretenduar se numëron “7-8 milionë shqiptarë” në mbështetje të saj. Për pyetjen nëse protesta do të prodhojë një forcë politike, ai i lë vend vendimit të popullit shqiptar.
Për tubimin tjetër të paralajmëruar sot në orën 18:00, Kola pret pjesëmarrje më të madhe falë emigrantëve që kanë ardhur në vend. “Mërgata ka 2-3 ditë që ka ardhur, por pritet të vijë sot në 148 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit të ketë një dyfishim. Pastaj është në dorë të popullit”, thotë ai.
Nëse diskutohet një qeveri tranzitore, Kola propozon që ajo të ndërtohet nga rreth 1,500 shqiptarë me grada shkencore, të cilët, sipas tij, kanë bërë betejë si me qeverinë ashtu edhe me opozitën. “Me persona të papërlyer, të papërfshirë në politikë, që kanë denoncuar sistemin, që janë përplasur me Ramën dhe opozitës. Janë deri në 1500 shqiptarë me grada shkencore që janë të gatshëm të kontribuojnë edhe pa pagesë. Duhet vetëm që populli shqiptar të dalë në shesh”, shprehet Kola.
Burimi: Top Channel.

