Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në drejtim të Prokurorisë, kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasin A. Sh., 41 vjeç, i dyshuar se ka mbajtur peng shtetasin E. K., 34 vjeç. Kallëzimi u dorëzua më datë 05.06.2026 nga familjarët e E. K., për humbjen e kontakteve me të.
Gjatë veprimeve hetimore dhe operative është bërë i mundur gjetja e motomjetit që i përkiste 34-vjeçarit dhe identifikimi i ambientit në të cilin dyshohet se ai ishte futur. Nga ky ambient më pas ka dalë autori i dyshuar, i cili mund të ketë marrë me vete E. K., duke e transportuar me automjet. Hetimet tregojnë gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.
Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar ku dyshohet se mbahej peng E. K., si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani 34-vjeçari nuk është gjetur. Automjeti që dyshohet se është përdorur për transportin e tij është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale.
Në lidhje me ndihmën e mundshme ndaj autorit, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast.
Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit E. K., ndërsa po punohet edhe për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim. Autoritetet bëjnë me dije se hetimet janë në vijim dhe, për të mos cenuar ecurinë e tyre, në këtë fazë nuk mund të bëhen publike të gjitha rezultatet e hetimit. Në vijim do të jepet informacion më i plotë sipas ecurisë së hetimeve.
Burimi i njoftimit: Top Channel.

