Një dokument i deklasifikuar i shërbimeve sekrete britanike, që pritet të publikohet nga televizioni publik italian Rai Tre, rikthen në vëmendje fatin e dosjeve sekrete të Benito Mussolinit. Sipas mediave italiane, dokumenti, hartuar më 18 maj 1945 nga një kolonel i inteligjencës britanike dhe i ruajtur në Arkivat Kombëtare të Londrës, thotë se tre partizanë italianë i dorëzuan autoriteteve britanike 37 dosje sekrete të ish-diktatorit. Dosjet përmbanin dokumente dhe korrespondencë që Musolini i konsideronte me rëndësi të jashtëzakonshme dhe, sipas dëshmive të kohës, mund të përfshinin edhe shkëmbime sekrete letrash mes Musolinit, Adolf Hitlerit dhe Winston Churchillit.
Musolini dhe e dashura e tij, Claretta Petacci, u ekzekutuan më 28 prill 1945 nga partizanët në Giulino di Mezegra, pranë Komos. Pas arrestimit, dokumentet sekrete ranë në duart e guerilasve që morën pjesë në operacion. Sipas La Stampa, disa javë pas përfundimit të luftës ambasada britanike në Romë njoftoi inteligjencën e saj se tre partizanët zotëronin materiale me vlerë të madhe historike dhe politike. Partizanët pranuan t’i dorëzonin dokumentet Britanisë së Madhe, por vendosën kushte: që dosjet të mos përdoren kundër Italisë dhe që dorëzimi të bëhej vetëm te një oficer i lartë britanik.
Dy prej partizanëve paraqitën edhe kërkesa personale: njëri kërkoi të transferohej në Britani dhe të punësohej në industrinë e aviacionit ose në Forcat Ajrore Britanike, ndërsa tjetri, mjek sipas profesionit, kërkoi të fitojë shtetësinë britanike. Raportimet thonë se drejtuesit e inteligjencës britanike pranuan menjëherë kushtet kryesore dhe u treguan të gatshëm të diskutonin edhe kërkesat personale.
Edhe pse dokumenti konfirmon dorëzimin e dosjeve te britanikët, vendndodhja e tyre aktuale mbetet e panjohur. Misteri rreth përmbajtjes së plotë të arkivit sekret të Musolinit vazhdon të ngjallë interes mes historianëve dhe studiuesve. Publikimi i dokumentit nga Rai Tre pritet të hapë debat të ri mbi një episod të diskutueshëm të historisë italiane dhe të rivendosë pyetje mbi dokumentet që mund të kenë ndikuar në marrëdhëniet politike të Europës gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Top Channel.

