Policia e Tiranës apelon për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim nga qytetarët për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 27-vjeçarit Arbian Baloshi në Kamëz. Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari Sadik Llani konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe dyshohet se është i armatosur, ndaj banorët e Kamzës dhe zonave përreth udhëzohen të tregojnë vigjilencë dhe të mos ndërhyjnë drejtpërdrejt nëse e konstatojnë atë, por ta njoftojnë menjëherë Policinë.
Për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit janë angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, që po vijojnë kontrollet intensive në terren. Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të dhënë çdo informacion të dobishëm dhe saktë lidhur me vendndodhjen e Sadik Llanit.
Qytetarët mund të raportojnë informacionin në numrin 069 41 05 735 ose në numrin emergjent 112. Për të nxitur bashkëpunimin, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka vendosur një shpërblim prej 10 000 eurosh për informacionin e saktë që do të çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Policia garanton ruajtjen e plotë të konfidencialitetit për çdo denoncim apo informacion të dhënë nga qytetarët.
Apeli thekson se, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë të të dyshuarit dhe mundësinë që ai të jetë i armatosur, qytetarët nuk duhet të ndërmarrin veprime vetjake, por të lajmërojnë menjëherë autoritetet për çdo informacion ose vëzhgim. Strukturat e përfshira vazhdojnë kontrollet intensive në terren deri në kapjen e të dyshuarit.

