Vlora ka nisur të presë fluksin e parë të madh të turistëve vendas dhe të huaj, me destinacionet kryesore ishullin e Sazanit dhe gadishullin e Karaburunit. Me dhjetëra anije turistike, si dhe mjete më të vogla si gomone dhe skafe, lundrojnë çdo ditë nga porti i Vlorës drejt këtyre zonave bregdetare.
Vizitorët shprehen të mahnitur nga peizazhet, ujërat e kristalta dhe natyra e paprekur e Karaburunit, ndërsa ishulli i Sazanit zgjon interes të veçantë për shkak të historisë dhe veçorive të tij. Një turist thotë: “Është një vend shumë i bukur. Deti është i mrekullueshëm dhe natyra fantastike. Jemi shumë kuriozë të vizitojmë Sazanin dhe gjiret e Karaburunit”. Të tjerë vijnë për herë të parë në Shqipëri dhe shprehin befasinë për bukurinë e vendit: “Jam nga Polonia, hera e parë në Shqipëri, kemi një javë këtu, një vend shumë i bukur, Vlora është fantastike. Kam dëgjuar më parë për Shqipërinë, por nuk kisha pritshmëri. Por nuk mendoja që ishte një vend kaq i bukur”. Një tjetër turist konfirmon: “Hera e parë në Shqipëri. Kemi kaluar shumë bukur. Kemi dëgjuar më parë për Sazanin, dhe po e zbulojmë atë qenka i mrekullueshëm”.
Me nisjen e sezonit turistik, operatorët pretendojnë se numri i vizitorëve drejt Sazanit dhe Karaburunit do të rritet ndjeshëm gjatë javëve dhe muajve në vijim. Menaxherë të anijeve turistike theksojnë se harta gjeografike e turistëve të huaj në Shqipëri po zgjerohet dhe se, gjatë verës, jugu i vendit është bërë lokacioni më i preferuar për pushime. Kjo preferencë, sipas tyre, lidhet me pastërtinë dhe kaltërsinë e detit Jon.
Transporti detar drejt këtyre destinacioneve zhvillohet çdo ditë nga porti i Vlorës, duke përfshirë flota të ndryshme anijesh dhe mjete më të vogla që ofrojnë lidhje me gjiret dhe atraksionet natyrore të rajonit. Top Channel

