Pas emergjencës së krijuar nga rrëshqitja e dheut në kodrën e Currilave në Durrës, kanë nisur ndërhyrjet në terren për menaxhimin e pasojave dhe garantimin e sigurisë. Të hënën, Forcat e Armatosura, të mbështetura nga shërbimi zjarrfikës dhe ndërmarrjet e Bashkisë së Durrësit, kanë nisur largimin e pishave të dëmtuara që kanë rënë mbi pallate dhe biznese.
Ndërhyrja në terren është vendosur nga ekspertë të Institutit të Ndërtimit dhe të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Pas përfundimit të fazës fillestare të largimit të pemëve dhe pastrimit të zonës së prekure, ekspertët do të vlerësojnë situatën në terren për të përcaktuar mënyrën më të përshtatshme të largimit të masave të dheut të rrëshqitura nga kodra. Më pas do të realizohet një vlerësim i plotë teknik, që do të shërbejë për përcaktimin e masave konkrete për trajtimin dhe stabilizimin afatgjatë të zonës.
Sipas Emergjencave Civile pranë Prefekturës së Qarkut Durrës, zona do të vijojë të mbetet e rrethuar dhe nën monitorim të vazhdueshëm. Perimetri i sigurisë do të ruhet për të shmangur çdo incident të mundshëm, pasi terreni kodrinor nuk paraqet ende qëndrueshmëri të plotë. Vendimet për rikthimin e banorëve në apartamentet e tyre do të merren nga ekspertët, të cilët do të vlerësojnë nëse kushtet e sigurisë janë përmbushur.
Për zgjidhjen afatgjatë të problemit është parashikuar kryerja e një studimi të thelluar gjeologjik dhe gjeo-teknik. Ky studim do të përcaktojë ndërhyrjet dhe investimet e nevojshme për stabilizimin e zonës dhe masat e duhura për parandalimin e incidenteve të ngjashme. Ndërhyrjet e para kanë përqendruar veprimet në largimin e pemëve të rrëzuara dhe sigurimin e perimetrit, ndërsa fazat e ardhshme pritet të sqarojnë metodologjinë teknike dhe detajet e punimeve të stabilizimit.
Top Channel

