Për afro dy mijë vjet, rruga natyrore Lindje–Perëndim – Via Egnatia dhe degëzimet e saj – lidhte Adriatikun me brendësinë e Ballkanit, duke krijuar një hapësirë ekonomike dhe komunikimi ku funksionuan qytete si Shkupi, Manastiri, Ohri, Dibra, Prizreni, Korça e Durrësi. Ky bosht shërbeu si arteria kryesore për tregtinë, qarkullimin e mallrave, shkëmbimin kulturor dhe integrimin politik gjatë periudhave romake, bizantine dhe osmane.
Përçarja e këtij rendi historik u shënuar dramatikisht nga Lufta e Parë Ballkanike: fitorja serbe në Betejën e Kumanovës (tetor 1912) shënoi fillimin e epokës së kufijve që fragmentuan boshtin natyror. Konferencat ndërkombëtare të pasluftës, përfshirë Ambasadoret në Londër dhe Versajën, legjitimuan kufijtë e rinj dhe ndanë hapësirën që kishte funksionuar si një tërësi ekonomike, duke ndërprerë rrjedhat shekullore tregtare dhe lidhjet mes qyteteve të rajonit dhe Shqipërisë.
Në këtë kontekst u zhvillua Konferenca e Përfaqësuesve të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, e mbajtur në Shkup më 10–12 maj 1924. Dokumentacioni i asaj kohe evidentonte pasojat e izolimit për Prizrenin, Gjakovën, Dibrën, Vjetër Ohërin dhe Manastirin dhe propozonte lidhje infrastrukturore si hekurudhat Manastir–Ohër dhe Ferizaj–Prizren, modernizimin e rrugëve dhe lehtësimin e qarkullimit tregtar. Paralelisht, qeveria shqiptare dërgoi komisione arsimore në trevat e mbetura jashtë kufijve për të forcuar arsimin në gjuhën shqipe. Përpjekjet për rikthimin e lidhjeve u penguan nga politika e Beogradit, e orientuar drejt kolonizimit dhe shpërnguljes së shqiptarëve.
Marrëveshja e Kumanovës e 9 qershorit 1999, pas ndërhyrjes ajrore të NATO-së, shënoi përmbysjen e rendit të krijuar pas 1912 dhe hapi mundësinë për rehabilitimin e korridorit. Aktualisht, Korridori VIII rezulton i realizuar në më shumë se nëntëdhjetë për qind të kapaciteteve dhe konsiderohet një proces pothuajse i pakthyeshëm. Megjithatë, që nga viti 2024 shfaqen tendenca politike në Maqedoninë e Veriut që synojnë pengimin e zbatimit të plotë të projektit dhe të integrimit euroatlantik, me ndikime nga koncepti i ashtuquajtur “Botë Serbe”.
Autorët e artikullit theksojnë se, përtej dimensionit infrastrukturor, Korridori VIII ka edhe një rol strategjik dhe simbolik: ai shihet si rikthim i një rendi historik që garantonte zhvillim ekonomik dhe shkëmbim kulturor. NATO përmendet si garantuesi kryesor i sigurisë së tij, ndërsa ekonomistë si Branko Azeski nxisin bashkimin e potencialeve ekonomike për krijimin e bashkëpunimeve me vlerë miliarda euro, si alternativë ndaj logjikës së konfliktit.

