Ndeshja në “Air Albania” përfundoi me humbje 0-1 për Shqipërinë ndaj Luksemburgut, e pesta radhazi nën drejtimin e trajnerit Rolando Maran. Golin e vetëm e shënoi Danel Sinani, numri 10 i kundërshtarëve, i cili ngjalli interes jo vetëm për rolin sportiv por edhe për historinë e tij të identitetit.
Danel Sinani ka lindur më 5 prill 1997 në Beograd, por prindërit e tij vijnë nga Dragashi (Sharr) në jug të Kosovës. Familja u zhvendos në Luksemburg kur ai ishte fëmijë, ku Sinani u rrit dhe u formua si futbollist. Kur është pyetur pse nuk luan për Shqipërinë ose Kosovën, lojtari ka deklaruar se nuk ka pasur lidhje federative apo emocionale me ngjyrat kuqezi dhe ka zgjedhur të mos identifikohet si shqiptar, duke u vetëdeklaruar si goran.
Komuniteti Goran është një pakicë myslimane sllavofone nga rajoni malor i Gorës (zona e Dragashit dhe fshatra kufitare në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut), që flet një dialekt të sllavishtes jugore të njohur si “našinski”. Identiteti i goraneve përjetohet ndryshe sipas kuadrit ligjor të shteteve përkatëse: Shqipëria nuk i njeh si “Goran” dhe, sipas ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare, i percakton së bashku me disa grupe të tjera si pakicë kombëtare bullgare, çka ka çuar disa banorë të këtyre zonave të pajisen me pasaporta bullgare. Kosova i njeh kushtetueshëm gorant si pakicë etnike të veçantë dhe u garanton vende në Parlament. Serbia, ku lindi Sinani, historikisht i ka integruar përmes dokumenteve dhe arsimit në serbisht, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ata shihen shpesh të afërt me torbeshët.
Ky kuadër juridik dhe gjeopolitik shpjegon arsyet e vetëdeklarimit të Sinanit dhe besnikërinë e tij ndaj Luksemburgut, vendit që e rriti. Në karrierë ai u bë i njohur me F91 Dudelange, më pas u transferua te Norwich City me huazime te Huddersfield dhe Wigan, dhe së fundmi luajti tre sezone në Gjermani me FC St. Pauli, ku në sezonin 2025/26 shënoi 5 gola, përfshirë ndaj Dortmundit dhe Freiburgut. Me rënien e St. Pauli-t dhe përfundimin e kontratës më 30 qershor 2026, Sinani është lojtar i lirë, dhe goli kundër Shqipërisë paraqitet si kartëvizita për destinacionin e ardhshëm. Në “Air Albania”, një djalosh me rrënjë nga Sharri që nuk e ndjeu veten shqiptar shënoi ndaj kuqezinjve, duke lënë një ndjesi të hidhur për tifozët vendas.

