Emrat Erling Haaland dhe Jürgen Klopp janë përmendur së fundmi në spekulimet mbi planet e ardhshme të Real Madridit, sipas mediave spanjolle. Presidenti i Borussia Dortmund, Hans-Joachim Watzke, ka komentuar këto zëra duke i hedhur poshtë disa prej tyre dhe duke sqaruar qëndrimet e të dy figurave.
Për Jürgen Klopp, Watzke tha se trajneri gjerman nuk ka në plan të marrë drejtimin e ndonjë ekipi në të ardhmen e afërt. “Ai është një trajner i madh, e ka treguar gjithmonë këtë, por aktualisht nuk ka asnjë synim të drejtojë një ekip. Nuk do të firmosë për askënd. Është i bindur për këtë. E di çfarë duhet të bëjë dhe për momentin nuk përfshin rikthimin në pankinë”, deklaroi Watzke. Ai shtoi se, megjithëse mban kontakte të vazhdueshme me Klopp, nuk ka pasur nevojë për diskutime të veçanta mbi këtë çështje, pasi qëndrimi i trajnerit është i qartë.
Sa i përket Erling Haaland, Watzke konfirmoi se sulmuesi norvegjez ka simpati për Real Madridin, por theksoi se e ardhmja e tij afatshkurtër nuk lidhet me “Los Blancos”. “Ai e admiron Real Madridin dhe në të ardhmen do të dëshironte të luante aty, por sezonin e ardhshëm do të vazhdojë te Manchester City, pa asnjë dyshim”, tha ai. Watzke përmendi mundësinë që Haaland të transferohet te Real Madridi në vitet në vijim, por theksoi qartë se kjo nuk pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt dhe se nuk ka asnjë marrëveshje apo angazhim konkret për momentin.
Në përfundim, drejtuesi i Borussia Dortmund vuri në dukje marrëdhëniet e mira mes klubit gjerman dhe Real Madridit dhe shprehu vlerësim për menaxhimin e presidentit të klubit spanjoll, Florentino Perez, gjatë viteve të fundit.

