Një ditë pas rrëshqitjes masive të dheut në Kodër Currila, autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë në zonën e prekur. Bashkia e Durrësit ka zgjeruar perimetrin e sigurisë, ndërsa forcat e policisë nuk lejojnë kalimin e qytetarëve dhe as futjen e banorëve në apartamentet e tyre për shkak të rrezikut që paraqet terreni i paqëndrueshëm. Korrespondentja e Top Channel, Vali Qyrfyçi, raporton se banorët e pallatit pranë zonës së rrëshqitjes vijojnë të qëndrojnë larg dhe se bizneset që pësuan dëmtime nga masat e dheut dhe pishat kanë pezulluar punën që prej ditës së djeshme.
Sipas njoftimeve, gjatë së shtunës pritet mbërritja në terren e specialistëve të Institutit të Ndërtimit dhe të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, të cilët do të marrin mostra për nisjen e procedurave të studimit të detajuar gjeologjik dhe gjeoteknik të zonës. Bashkia e Durrësit bën me dije se dy grupe pune, të drejtuara nga Instituti i Ndërtimit, do të angazhohen paralelisht në terren: një grup do të kryejë vlerësimin paraprak të gjendjes së objektit për të evidentuar dëmtime të mundshme strukturore, ndërsa grupi tjetër do të realizojë matjet dhe analizat që do të shërbejnë për hartimin e akt-ekspertizës dhe projektit të nevojshëm për përforcimin dhe stabilizimin e territorit.
Në të njëjtën kohë, Instituti i Ndërtimit ka ngritur një ekip të posaçëm ekspertësh për të realizuar ekspertizën e plotë të pallatit dhe për të përcaktuar nivelin e sigurisë së tij. Pasditen e së premtes u bë e ditur se 25 familjet që banojnë në këtë objekt nuk do të lejohen të rikthehen në apartamentet e tyre deri në përfundimin e vlerësimeve teknike dhe konfirmimin nga institucionet përgjegjëse se ndërtesa është e sigurt për t’u banuar. Nga 40 apartamentet e pallatit, janë evidentuar 25 familje që e përdorin këtë objekt banimi.
Burimi i informacionit: Top Channel.

