Forcat e armatosura ruse njoftuan se gjatë natës së të premtes rrëzuan 86 dronë ukrainas mbi hapësirën ajrore të rajonit të Leningradit, në zonën përreth Shën Petersburgut, ku po zhvillohet një forum i madh investimesh. Guvernatori rajonal Alexander Drozdenko deklaroi se operacionet luftarake po vijojnë. Kryetari i bashkisë së qytetit, Alexander Beglov, bëri thirrje që banorët të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin jashtë, duke njoftuar se qyteti ishte bërë shënjestër i një sulmi të gjerë me dronë. Aeroporti Ndërkombëtar i Pulkovos bëri të ditur pezullimin e përkohshëm të fluturimeve, pa dhënë shpjegime për arsyen.
Të mërkurën, në ditën e hapjes së forumit të Shën Petersburgut — të njohur më parë si “Davosi rus” — dronët ukrainas goditën një objekt nafte dhe një instalim ushtarak, dhe mysafirët mbërritën në ngjarje me kolonë tymi të zi në sfond. Forumi pritet të përfundojë sot, një ditë pas fjalimit të presidentit Vladimir Putin.
Në orët e para të mëngjesit, po ashtu u rrëzuan tetë dronë ukrainas që po shkonin drejt Moskës, sipas kryebashkiakut të kryeqytetit, Sergei Sobyanin. Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi gjithsej 376 dronë ukrainas të kapur në hapësirën ajrore ruse gjatë natës.
Autoritetet ruse thonë se forcat ukrainase kanë përshkallëzuar sulmet e tyre me dronë kundër territorit rus dhe zonave të pushtuara nga ushtria ruse, si hakmarrje për sulmet e përditshme ruse në Ukrainë. Një sulm me dron shkaktoi një zjarr në një depo karburanti në Ust-Labinsk, në rajonin Krasnodar, sipas autoriteteve lokale.
Nga ana ukrainase raportohet se sulmet ruse me dron kanë prekur zona të brendshme. Në rajonin Zaporizhia, një sulm rus ndaj “infrastrukturës kritike dhe industriale” la të vdekur dy persona, njoftoi kreu i komandës ushtarake rajonale, Ivan Fedorov. Në rajonin Dnipropetrovsk, i cili sipas autoriteteve është qëlluar rreth 30 herë nga dronë dhe artileri, një person u vra dhe tre u plagosën në qytetin Kryvyi Rih, tha kreu i komandës lokale, Oleksandr Ganza. Shërbimet e shpëtimit raportuan gjithashtu sulme me dronë në qytetin e Odesës, por pa viktima.

