Fiks Fare denoncoi një rast të gabimit në regjistrat e Gjendjes Civile, ku një shtetase është futur gabimisht në trungun familjar të familjes Gjepali nga Shijaku. Ankesën e paraqiti Elmaz Gjepali, i biri i Feim dhe Mejte Gjepalit, i cili thotë se në certifikatat familjare figuron një shtetase me inicialet E. Gjepali, e lindur më 10 mars 1992. Sipas Elmazit, shtetasja ka të njëjtën atësi dhe mbiemër, por në aktet e lindjes është ndryshuar emri i nënës. Ai thotë se ky gabim është bërë nga Zyra e Gjendjes Civile në Gjepalaj, Shijak.
Shtetasja në fjalë ka hapur një proces në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor në Durrës, ku është vendosur korrigjimi i aktit të lindjes. Vendimi i Gjykatës së Durrësit, i datës 01 mars 2011, i formës së prerë, ka ndryshuar amësinë nga “Mejte” në “Zeqine” dhe është depozituar në zyrën e Gjendjes Civile në Gjepalaj ose në zyra të tjera ku shtetasja është martuar. Megjithatë, kur Elmaz kërkoi nxjerrjen e dëshmisë së trashëgimisë pas vdekjes së prindërve, rezultoi se në trungun familjar, për periudhën nga viti 1991 deri më 2012, emri i E. Gjepalit vazhdon të shfaqet në certifikatat familjare, pavarësisht vendimit të formës së prerë.
Elmaz kërkon që emri i saj të hiqet nga të gjitha certifikatat e trungut familjar, sepse prania e tij, sipas tij, dëmton interesat ekonomike dhe morale të familjes dhe pengon kryerjen e veprimeve në zyrat noteriale dhe zyrat e shtetit. Pas ankesës, ai shkoi në Gjendjen Civile në Shijak; punonjësja i tha se gabimi ishte bërë vite më parë dhe se ajo nuk kishte mundësi të hynte në sistem për të ndryshuar aktet, pasi ndryshimet në regjistër kryhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.
Në përgjigje për Fiks Fare, Gjendja Civile e Shijakut sqaroi se gabimi buron nga regjistrimi i parë të aktit të lindjes, ku nëpunësi i Gjendjes Civile Gjepalaj ka hedhur të dhëna gabim për shkak të ngjashmërisë së emrave. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile njoftoi se ka urdhëruar korrigjimin e regjistrit duke i drejtuar një shkresë operatorit që mirëmban sistemin.

