Në dosjen hetimore të Violand Braçellarit, autorit të masakrës në fshatin Lozhan të Maliqit, dalin dëshmi që e paraqesin 43-vjeçarin si person problematik në zonë. Kryeplaku i fshatit, Sabri Braçellari, në deklarimin e dhënë në prokurori në hetimet e vitit 2015, shpjegon se nuk kishte marrëdhënie të mira me Violandin dhe familjen e tij dhe se ata kishin zënë shtëpinë e një banori tjetër, i cili ishte transferuar në qytet.
Sipas kryeplakut, i pandehuri jetonte në Vlorë, ndërsa prindërit e tij, që prej rreth një viti e gjysmë, ishin kthyer në Lozhan dhe po qëndronin te shtëpia e Eduart Braçellarit, djali i Mit’hatit. Banesa e Mit’hatit ndodhet 50–70 metra larg banesës së Shefqet Braçellarit. Ai thekson se babai i të pandehurit është invalid dhe që nga ajo kohë e ndihmon bashkëshortja; më parë familja mbante bagëti dhe kishte punësuar një çoban. Kryeplaku shton se shtëpitë në atë lagje janë shpesh të braktisura dhe se kushdo që i do i shfrytëzon, si dhe se në shtator 2015 e kishte parë rrallë Violandin në fshat.
Për ngjarjet e kontrollit policor, Sabri tregon se ditën kur erdhi policia u telefonua nga inspektori i zonës dhe iu kërkua të tregonte shtëpinë e Luan Braçellarit, ku forcat e rendit qëndruan deri rreth orës 03:00. Në vend ishte ai dhe 5–6 policë; babai i të pandehurit ishte brenda për shkak të invaliditetit. Policia kontrolloi disa banesa, dhe shefi i antidrogës solli disa mbetje të lëndës narkotike, duke i kontrolluar personalisht. Për kontrollin është përgatitur procesverbal, të cilin kryeplaku thotë se e ka firmosur.
Kreu i shërbimit antidrogë, Besnik Qevani, sipas deklarimit, kontrolloi 4–5 banesa vetëm në prani të policëve. Kryeplaku pohon se ai dhe babai i të pandehurit nuk kanë qenë prezent gjatë të gjithë kontrolleve; shefi deklaroi se kishte gjetur pak mbetje hashashi në shtëpinë e Shefqetit. Kontrolli u zhvillua tre ditë rresht, dhe i pandehuri atë ditë nuk ishte në fshat.

